English

A do të ketë xhami dhe kishë në sheshin e Shkupit?

Në vendin ku tani ndodhet sheshi kryesor i Shkupit, dekada më parë ka ekzistuar një xhami dhe një kishë. Sot ato nuk ekzistojnë më. Iniciativa për rindërtimin e tyre ka politizuar opinionin

Fatos Musliu

Shkup, 20 Janar NOA - Me planin e ri urbanistik të komunës Qendër, në sheshin e Shkupit, së shpejti do të fillojë të ndërtohet kisha ortodokse "Shën Elena dhe Konstantini", ndërsa po me të njëjtin plan bie poshtë projekti i paralajmëruar për ndërtimin e Burmali Xhamisë.

Myftinia e Shkupit ka reaguar ashpër ndaj një vendimi të tillë të kryetarit të komunës. Në reagimin e Myftinisë së Shkupit thuhet se komuna Qendër luan një lojë shumë të rrezikshëm, i cili mund të nxisë konflikte fetare e etnike me përmasa më të mëdha.

Kisha me leje, xhamia pa leje?

Përfaqësuesi i Bashkësisë Islame në Maqedoni, Jakup Selimovski thotë se përmes rrugës zyrtare disa herë është parashtruar kërkesa për ndërtimin e Burmali xhamisë në sheshin e Shkupit, mirëpo institucionet shtetërore asnjëherë se kanë marrë me seriozitet atë. Gjithnjë sipas tij, vendimi i autoriteteve komunale për dhënien e lejes për ndërtimin e kishës dhe moslejimi i ndërtimit të xhamisë do të acarojë marrëdhëniet fetare në Maqedoni. "Në qoftëse fillon ndërtimi i kishës dhe nga ana tjetër pengohet ndërtimi i Burmali xhamisë, ne si Bashkësi Islame kemi vendim të prerë se në atë moment, kur të fillojë ndërtimi i kishës ne edhe pa leje të pushtetit zyrtar do të fillojmë me ndërtimin e xhamisë," thotë Jakup Selimovski zyrtar i lartë i Bashkësisë Islame në Maqedoni.

Reagimet të ndryshme

Paralajmërimet e ndërtimit të objekteve fetare në sheshin e Shkupit kanë hasur në reagime të ndryshme tek qytetarët: "Edhe pse jam fetare, këtë herë nuk e përkrah këtë iniciativë nga fakti se mendoj se në sheshin e Shkupit nuk ka vend të mjaftueshëm për ndërtimin e dy objekteve," vlerëson gazetarja Rina Turkeshi.

Studenti Besim Abdullahu shprehet se nuk ka asgjë kundër ndërtimit të objekteve fetare. "Mirëpo mendoj se në rastë se lejohet ndërtimi i kishës në sheshin e Shkupit, atëherë me çfarë të drejte nuk lejohet ndërtimi i xhamisë?"

Në opinion që tani është krijuar një acarim i marrëdhënieve fetare vlerëson Memedali Jusufi nga Gostivari. Për të nuk paraqet problem ndërtimi i objekteve fetare në sheshe. "Ka vende evropiane që kanë treguar një shembull të tillë por nuk është se duhet patjetër, mua nuk më pengon as ndërtimi i dy objekteve".

Shkupjania Magdalena Petrova vëren në iniciativat për ndërtimin e objekteve fetare në sheshe fillimet e politizimit të fesë. "Më pengon fakti se në vendin tonë çdo iniciativë politizohet pa nevojë. Po tentohet që tensionet politike të barten edhe në religjion, e atëherë do të kemi probleme të mëdha që vështirë të menaxhohen," thotë Petrova.

Zërin kundër ndërtimit të objekteve fetare në sheshin e Shkupit e ka ngritur edhe shoqata e arkitektëve. /dw/

KOMENTE