Tiranë, 19 janar, NOA - Përmbytjet e javëve të fundit duket se kanë tronditur edhe botën e artistëve, sensibiliteti i të cilëve nuk lejon që ajo që ndodhi të kalojë në heshtje. Lidhur me këtë, në sajë të një iniciative të veçantë, ata kanë vendosur të japin një ndihmë solidariteti ndaj atyre që sot ndihen të dobët para pasojave të përmbytjeve. Dihet se në shumë vende të botës ku fatkeqësitë natyrore kanë goditur popullatat e tyre, artistët kanë qenë në krye të iniciativave të ndërmara për të dhënë kontributin e tyre pa qëllime fitimi.
Por edhe në Shqipëri mjaft artistë janë angazhuar që ta japin një kontribut të ngjashëm, me anë të një koncerti i cili do të zhvillohet live, ditën e enjte më 21 janar, ora 18.00, në mjediset e cirkut "Dorolla" në sheshin "Nënë Tereza" në kryeqytet.
Janë 40 artistë shqiptarë, holandezë, izraelitë, rusë, afrikanë e kinezë, të cilët do t'i bashkohen këtij koncerti, paratë e siguruara prej të cilit bëhet me dijeni se do t'i akordohen qarkut të Shkodrës në shenjë solidariteti për ndihma ndaj përmbytjeve.
Sipas promotorit të kësaj iniciative, Mimmo Gianfreda, ky është një event artistik i pazhvilluar më parë ndonjëherë në Shqipëri, ku artistët bashkohen për një objektiv unik humanitar mes tyre.
n.e/NOA