Dymbëdhjetë muaj pas vrasjes së dyfishtë, në Moskë, të avokatit Stanislav Markelov dhe gazetares Anastasia Baburova, mbështetësit dhe familjarët thonë se vdekja e tyre ndërlidhet me ekstremizmin e djathtë në rritje në Rusi, dhe se qeveria duhet të veprojë
Nga Valery Balayan & Kevin O'Flynn
Një vit më parë, avokati Stanislav Markelov u vra në mes të ditës në një rrugë në qendër të Moskës, kur një sulmues e qëlloi për vdekje në kokë nga afërsia. Anastasia Baburova, gazetarja e re që udhëtonte me Markelovin në kohën e sulmit, gjithashtu u qëllua dhe vdiq nga plagët një ditë më pas. Markelov ishte aktivist për të drejtat e njeriut, i cili i mbronte viktimat e krimeve të luftës në Çeçeni, dhe ishte luftëtar aktiv kundër lëvizjes fashiste ruse në rritje. Markelov, i cili e përfaqësonte familjen e një gruaje çeçene të vrarë në vitin 2000 nga oficeri i armatës ruse, Juri Budanov, u vra menjëherë pasi mbajti një konferencë për shtyp, ku protestoi për lirimin e Budanovit. Grupet për të drejtat e njeriut thonë se vrasja e tij kishte pothuaj lidhje të pashmangshme me punën e tij. Baburova, një aktiviste ekologjike, e cila punonte në "Novaja Gazeta", sapo e kishte filluar karrierën. Prindërit e saj, Larisa dhe Eduard Baburov, fillimisht menduan se ajo ishte viktimë fatkeqe e rrethanave, në vend të gabuar e në kohë të gabuar. jë vit më vonë, Eduard Baburov thotë se e sheh ndryshe situatën. "Para se të vritet vajza jonë, nuk e kisha idenë se çfarë po ndodhte në Rusi. Vetëm pas vrasjes së saj filluam të lexojmë dhe të mësojmë më shumë se sa i zhvilluar është fashizmi". "Kam përshtypjen se procesi ka dalë jashtë kontrollit dhe autoritetet tash nuk mund të bëjnë gjë. Ideologjia e nazizmit, fashizmi, ka lëshuar rrënjë në nivelet më të larta, ka përfaqësues në strukturat e ndryshme shtetërore, në Duma, gjithandej", thotë Baburov. Në një letër të botuar në "Novaja Gazeta", më 30 nëntor, në ditëlindjen e 26-të të bijës së vet, Baburov shkroi se fashizmi ka lëshuar rrënjë në Rusi dhe bëri thirrje që ta pranojnë këtë problem. Për vrasjen e avokatit dhe gazetares u arrestuan dy persona, të ndërlidhur me të djathtën ekstreme. "Novaja Gazeta" raportoi të hënën se gjatë arrestimit, në banesën e tyre janë gjetur armë, dhjetëra mijë euro dhe dokumente të falsifikuar. Por, gazeta shkroi se Nikita Tihonov dhe Jevgenia Hazis, janë vetëm disa nga ekstremistët e djathtë që janë të gatshëm të sulmojnë aktivistët antifashistë. Tihonov njëherë e pranoi vrasjen, por pastaj e tërhoqi deklaratën, duke thënë se e kishin detyruar të pranojë. Gaina Kozhevnikova, aktiviste nga qendra "Sova", autoriteti më i lartë rus për krimet e urrejtjes dhe grupet ultranacionaliste, thotë se grupet ekstremiste mbeten të fuqishme dhe taktikat e tyre po ndryshojnë. "Ultra të djathtët i janë kthyer haptas terrorit direkt dhe antishtetëror, duke i vënë synim vetes që të destabilizojnë situatën në vend duke përhapur panik, me të cilin do të mund të fillonin një grusht shtet", thotë Kozhevnikova. Pjesë e kësaj strategjie, shton ajo, janë sulmet ndaj aktivistëve antifashistë. "Ky terror nuk ka në shënjestër vetëm autoritetet e shtetit, por frikësimin dhe vrasjen e aktivistëve që punojnë kundër kseneofobisë. Baburova dhe Markelov janë vetëm disa nga viktimat e vitit të kaluar. Ka pasur shumë kërcënime, madje jemi kërcënuar edhe ne", pohon Kozhevnikova.
Foto: Pamje nga protesta e Lëvizjes Kundër Emigracionit të Paligjshëm, Moskë, 4 nëntor 2009