Prishtinë, 19 janar, NOA Nga Milena Selimi - Shfaqja e mirënjohur "Gjenerali i ushtrisë së vdekur", sipas romanit homonim të Ismail Kadaresë dhe me regji të Dino Mustafiç, do të jepet në Prishtinë në datat 24, 25 dhe 26 Janar 2010. Ardhja e "Gjeneralit…"është konfirmuar nga të dyja institucionet; Teatrit Shqiptar - Shkup dhe Teatrit Kombëtar të Kosovës.
E veçanta e kësaj shfaqje do të jetë se "Gjenerali…" solidarizohet me fatkeqësinë natyrore të përmbytjeve që kapi zonën e Shkodrës dhe rrethinat e saj. Të dyja institucionet artistike mësohet të shprehen se biletat e datës 24 janar janë vetëm një kontribut i vogël, "Një ndihmesë e vogël për ata që na i hapën dyert dhe zemrat kur ne kishim nevojë…".
Kjo shfaqje është dramatizuar për skenë nga Jeton Neziraj, me skenografi nga Dragutin Broz, kostumografi të Bllagoja Micevskit dhe regji skenike nga Dino Mustafiq. Në rolet kryesore interpretojnë: Bajrush Mjaku, Xhevdet Jashari, Adem Karaga, Vebi Qerimi, Musherefe Llozani, Adrian Aziri, etj.
Shfaqja "Gjenerali i ushtrisë së vdekur", vjen në Prishtinë vetëm pas një prezantimi me sukses në skenën e Shkupit dhe para pak kohësh u shfaq në "Teatrin Jugosllav të Dramës", ku nga publiku u duartrokit gjatë. Aktori që interpreton "Gjeneralin", Bajrush Mjaku shprehet se:
"Ishte ndjenjë e veçantë tek na shoqëronte në Beograd aktori ynë më i madh, ish-profesori im në shkollën e lartë të aktrimit në Prishtinë, Bekim Fehmiu. Edhe më e veçantë ishte ndjenja kur ai pas shfaqjes erdhi dhe na përgëzoi për realizimin e mirë që kishim bërë. Ai e pranoi se i kishim krijuar një ndjenjë krenarie që moti nuk e kishte përjetuar. Ai na tha se me këtë shfaqje e kishim nderuar atë dhe gjithë shqiptarët. Na tha se kishim bërë një shfaqje të denjë për çdo skenë të Evropës".
Të ardhurat që grumbullohen nga shitja e biletave për premierën kosovare (datë 24, ora: 20:00) do tu dedikohen familjeve që kanë pësuar nga fatkeqësia natyrore në Shkodër. Biletat për datën 24 Janar do të kushtojnë 10 EURO.