Prishtinë, 19 Janar - Hajdin Islami/ - Në takimin e zhvilluar në mes të Ministres së Drejtësisë, Nekibe Kelmendi dhe Senatorit Dik Marty, raportues i Këshillit të Evropës për persona të zhdukur, u bisedua për ndihmën që Këshilli i Evropës mund të japë për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur në luftën e fundit në Kosovë.
Sipas një njoftimi për media të Ministrisë së Drejtësisë, thuhet se senatori Marty gjatë këtij takimi tha: "Misioni ynë nuk është hetues, kemi ardhur në Kosovë për të shikuar mundësitë, për të ndihmuar që familjarët e personave të zhdukur të informohen për fatin e njerëzve të tyre".
"Ne e dimë se çfarë ka ndodhur në Kosovë në luftën e fundit, ashtu siç e dimë edhe për humbjen e burrit dhe djemve tuaj në këtë luftë, por një nga qëllimet kryesore të Këshillit të Evropës është garantimi i bashkëjetesës në paqe në mes të popujve, pa dallim kombi, feje dhe race".
Në anën tjetër, Ministrja Kelmendi e informoi senatorin Marty për angazhimin e Ministrisë së Drejtësisë për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur pa dallim të përkatësisë etnike.
Ajo më tutje tha se "jemi të gatshëm për bashkëpunim me të gjitha vendet e rajonit dhe me institucionet ndërkombëtare që janë të interesuara të ndihmojnë që sa me parë të zbardhet fati i tyre".
Ministrja Kelmendi kërkoi që Serbia të jetë me bashkëpunuese lidhur me zbardhjen e fatit të të gjithë personave të zhdukur në luftën e fundit në Kosovë, që sipas evidencë sonë janë 1 882 persona.
Ministrja po ashtu e informoi bashkëbiseduesin se së shpejti në Prishtinë do të mbahet Konferenca ndërkombëtare për të zhdukurit, me qëllim të dhënies së kontributit nga ana e ekspertëve ndërkombëtarë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, thuhet në komunikatën për media e MD-së.
h.i/e.r/NOA