Nga Rajmonda Lajthia
Tiranë, 19 janar NOA - Komisioni Parlamentar i Ekonomisë miratoi vendimin politik të kryeministrit, Sali Berisha, për të hequr tatimin mbi vlerën e shtuar për arsimin privat e publikë.
Deputetët demokratë miratuan unanimisht ndryshim në ligjin për TVSH-në, duke i dhënë këtij tregu jo të vogël, një frymëmarrje më të madhe financiare.
Vendimi hyn në fuqi në vitin tjetër akademik, tetor 2010.
Sipas deputetit Florion Mima, ky vendim është pjesë e programit elektoral të partisë demokratike, që tani po konkretizohet nga kjo maxhorancë.
Heqja e TVSH-së për arsim do të thotë që çdo shërbim që kryhet në funksion të edukimit do të kushtojë 20 % më pak. Në disa prej universiteteve private ky vendim nuk pritet të ndjehet, pasi TVSH-ja ishte një barrë për drejtuesit e institucionit dhe nuk reflektohej tek studenti. Sipas dekanes së UET-së Luljeta Minxhozi, kjo masë do të japë efekte tek pagesat e librave apo kurseve shkollore, të cilat pritet të bëhen edhe më të lira.
Në fund të vitit 2009 kryeministri Berisha njoftoi në mbledhjen e fundit të qeverisë se do t'i bënte një dhuratë sektorit të arsimit, por ai hasi në kundërshtime të ministrit të Financave, sipas të cilit nuk ishte kohë dhuratash.
Por në fakt ky paralajmërim u konkretizua.
Heqja e TVSH-së për arsim privatë është një masë e cila jep ndikim në buxhetin e shtetit. Ndaj një vendim i tillë duket jo shumë i përshtatshëm në këtë vit kur buxheti i shtetit ndodhet në vështirësi serioze.
r.l/NOA