Kiev, 19 janar, NOA - Zgjedhjet presidenciale në Ukrainë u zhvilluan konform të gjitha rregullave dhe sipas standardeve demokratike. Një konkluzion të tillë e kanë raportuar në mënyrë zyrtare vëzhguesit e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian, të cilët kanë ndjekur nga afër procesin e zgjedhjeve presidenciale në vendin ish-sovjetik.
"Ishin zgjedhje të një cilësie të lartë. Këto votime ofruan zgjedhje reale mes kandidatëve dhe shënuan përparim të dukshëm krahasuar me zgjedhjet e mëparshme", ka deklaruar lidhur me një fakt të tillë, Joaoe Soares, president i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së.
Sipas rezultateve të arritura në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Ukrainë,
Viktor Jushçenko, i cili njihet edhe si kreu i të ashtuquajturit "revolucioni portokalli" të mbajtur 5 vjet më parë në këtë vend për rrëzimin e pushtetit, doli nga gara duke marrë vetëm 5 % të votave.
Ndërsa në datën 7 shkurt do të garojnë në raundin e dytë për presidentin e ri ukrainas, lideri i opozitës Viktor Janukoviç dhe kryeministrja Julia Timoshenko.
n.e/NOA