Tiranë, 19 janar NOA - Partia e Ballit Kombëtar Demokrat ka lëshuar mesditën e sotme një deklaratë për shtyp me anë të së cilës ka vlerësuar qeverinë për përballimin sipas saj me sukses të situatës së përmbytjeve në Shkodër, ndërsa ka kritikuar opozitën se po përdor fatkeqësitë natyrore për përfitime politike.
"Situata të tilla ftojnë për solidaritet shpirtëror pa kufi dhe ndihmë financiare e materiale apo njerëzore në varësi të mundësive.
Mosmarrja pjesë e Partisë Socialiste dje në seancën Parlamentare të posaçme për përmbytjet e ndodhura në Shkodër tregon qartë demagogjinë që po bëjnë drejtuesit Socialistë në këtë situatë, tregon qartë se ata duan të jenë afër pushtetit të tyre dhe jo afër pushtetit te qytetarit" deklaroi PBKD.
Më tej në deklaratë, PBKD shtoi se regjistrimi i popullsisë në bazë të fesë dhe etnisë është delikat për ta marre përsipër shteti ne një terren shume te politizuar.
"Ne e dimë që shumë qytetarë janë e kanë të lidhur produktin e punës së tyre nga puna në vendet fqinje dhe për hir të kësaj ata kanë qenë të detyruar të ndërrojnë në dokumente emrat e tyre, kombësinë për shkak të besimit të vendit pritës.
Shumë qytetarë shqiptarë nuk kanë pavarësi ekonomike sa që t'i shprehin lirisht përkatësinë fetare dhe etnike.
Prekja e këtyre çështjeve jo vetëm që është delikate, por është edhe e pa sigurt, sepse është e vështirë të besohet në vërtetësinë e pohimeve. Një regjistrim i tillë, si do që të jetë rezultati, thjesht do të ushqejë reagimet e grupeve ekstremiste të caktuara.
Shteti është i ndarë nga feja dhe nuk ka detyrim ta bëjë një gjë të tillë. Ky nuk është një detyrim për integrimin në BE. Ne mund të integrohemi me tolerancën tonë fetare dhe bashkëjetesën tonë shembullore me minoritet që jetojnë në Shqipëri" përfundoi deklaratën e saj PBKD.
k.k/NOA