Tiranë, 19 janar NOA - Deputeti i Partisë Socialiste, Ilir Beqja ka dalë sot në një deklaratë për shtyp me anë të së cilës ka deklaruar se seanca Parlamentare e jashtëzakonshme që u zhvillua një ditë më parë për çështjen e përmbytjeve pati si qëllim vetëm gënjeshtrën.
"Dje shqiptarët patën rastin të shihnin një nga shfaqjet me cinike e më të shëmtuara në jetën e parlamentarizmit shqiptar: një seancë plenare të parashikuar në nenin 74 të Kushtetutës, por që fatkeqësisht pati si qëllimin e saj të vetëm gënjeshtrën dhe ngritjen në qiell të punës së qeverisë Berisha, e cila falë korrupsionit dhe paaftësisë së saj, ia doli me sukses të mbytë me mijëra hektarë tokë, të shkatërrojë me mijëra shtëpi e të rrënojë mundin e punën e dhjetëra mijëra qytetarëve shqiptarë.
Në orë të tëra ligjëratash e fjalimesh mediokre, duke filluar që nga Sali Berisha, Jozefina Topalli, ministri energjetikës e gjithë të tjerët, nuk dëgjuam një fjalë të vetme mbi masat konkrete që do të merren për të përballuar situatën e krijuar në Shkodër e për të ndihmuar ata fatkeqë që gjenden sot në ditë të hallit" tha Beqja.
Sipas tij, qeveria e Sali Berishës jo vetëm që u bëri gjëmën banorëve të rrethit të Shkodrës, por po dëshmon sot se është krejtësisht e paaftë dhe e papërgatitur për t' i ndihmuar ata.
"Ne sot i kërkojmë Sali Berishës që të mos mjaftohet me rezoluta boshe në seanca të quajtura të jashtëzakonshme edhe pse Kushtetuta i përcakton ndryshe, por të fillojë urgjentisht me marrjen e masave konkrete për të ndihmuar banorët e zonave të përmbytura.
Për këtë arsye ne i bëjmë thirrje Sali Berishës të fillojë menjëherë me vlerësimin e dëmeve me ekipe profesionistësh të përbërë nga inxhinierë ndërtimi për vlerësimin e banesave, agronomë për vlerësimin e dëmeve në të mbjella, veterinere në vlerësimin e dëmeve në gjënë e gjallë dhe zooteknikë në vlerësimin e dëmeve të bazës ushqimore;
të bëjë ndryshimet e nevojshme në ligjin e buxhetit të shtetit për të siguruar fondet për dëmshpërblimin të fillojë asistencën e menjëhershme financiare për familjet që tash e dy javë nuk kanë më asnjë mundësi të gjenerojnë të ardhura" tha më tej Beqja.
k.k/NOA