English

Salla e Byrosë parlamentare të Kuvendit merr emrin e Pjetër Arbnorit

Tiranë, 19 janar NOA - Në përkujtim të 75- vjetorit të lindjes së Pjetër Arbnorit, politikanit, shkrimtarit, dhe humanistit, emri i tij u përjetësua sot në Parlamentin e Shqipërisë, me emërtimin e sallës kryesore të mbledhjeve parlamentare, atë të Byrosë dhe Konferencës së Kryetarëve.

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli organizoi sot një aktivitet i posaçëm në nderim të Pjetër Arbnorit.

Bashkëshortja Suzana Arbnori, dy fëmijët Justinë e Filip, miq, bashkëvuajtës të burgjeve komuniste, deputetë, intelektualë, dhe studiues, morën pjesë në ceremoninë zyrtare të emërtimit të sallës "Pjetër Arbnori".

"Ju e dini që kjo sallë ka qenë Byroja e Komitetit Qendror. Pjetër Arbnori ka qenë legjendë e rezistencës dhe anti-komunizmit ndaj dhe simbolika është jashtëzakonisht e fortë. Kjo sallë, ku dikur merreshin vendime kundër Pjetër Arbnorit dhe të gjithë atyre që s'pranuan kurrë komunizmin, sot ka emrin Pjetër Arbnori. Ai ishte një luftëtar i fjalës së lirë. Ishte një njeri me zemër të madhe dhe unë kam qenë jashtëzakonisht me fat që kam pasur mundësinë për ta njohur dhe për të punuar për tri legjislatura së bashku me zotin Arbnori, fillimisht si Kryetar Parlamenti dhe pastaj kemi punuar bashkë në ditë të vështira në kohën e opozitës tha Topalli.

"Jam shumë e nderuar që si Kryetare e Kuvendit i ve emrin e Pjetër Arbnorit kësaj salle. Ishte një legjendë e rezistencës ishte një luftëtar i paepur i fjalës së lirë, një shkrimtar i madh, një humanist i madh, një mbrojtës i të drejtave të njeriut si kurrkush tjetër, ishte Mandela i Shqipërisë. 28 vjet burg. 28 vjet të kaluara me një dinjitet të jashtëzakonshëm, për të cilin fëmijët do të jenë shumë krenarë. Por, edhe ne si shqiptarë jemi shumë krenarë. ryetarja e Kuvendit tha se ka shumë dorëshkrime të tjera që zoti Arbnori ka lënë pa botuar dhe Kuvendi i Shqipërisë do të bëjë ç'mund për t'i botuar ato dhe i dhuroi familjarëve përmbledhjen e botimit të fjalimeve të mbajtura në Parlament nga Pjetër Arbnori" tha më tej Kryetarja e Kuvendit.

Bashkëvuajtësit e tij, intelektualë të dënuar dhe të persekutuar në kohën e komunizmit, e cilësuan Pjetër Arbnorin një ndër themeluesit dhe drejtuesit e vlerave demokratike të shoqërisë shqiptare, figurë e shquar jo vetëm politike, por një simbol kombëtar i pluralizmit dhe idhtar i fjalës së lirë.

k.k/NOA

KOMENTE