English

Zonat e përmbytura, plani i Emergjencës: Kujdes me dezinfektimin

Tiranë, 19 janar NOA - Ministria e Shëndetësisë prej tre ditësh ka dorëzuar pranë autoriteteve shëndetësore në qytetin e Shkodrës, planin e emergjencës i cili do të shërbejë për pastrimin e zonave të përmbytura nga ndotjet që sollën ujërat gjatë vërshimit të tyre.

Në planin e emergjencës që komiteti ndërministror miratoi javën e shkuar prioritare mbeten shërbimet shëndetësore, shëndeti publik dhe kujdesi spitalor.

Në plan theksohet se uji është një prej prioriteteve që duhet të kenë specialistët.

Ata duhet të bëjnë një vlerësim të veprave të ujësjellësve, inspektimin dhe marrjen e mostrave të paktën 2 herë në ditë.

Një tjetër vëmendje kërkohet për puset, për vlerësimin e cilësisë së ujit të puseve.

Në lidhje me rrezikun e përhapjes së epidemive nga ujërat e zeza, kërkohet monitorim i shkarkimeve të ujërave të zeza dhe sipërfaqësore në lidhje me nivelin e ndotjes mikrobiologjike, kimike, fizike, në bashkëpunim me Inspektoratin e Mjedisit dhe strukturat e pushtetit vendor.

Informim dhe udhëzim i vazhdueshëm i publikut mbi dezinfektimin e gropave septike, pastrimin e sipërfaqes përreth gropave septike dhe groposjen e mbeturinave.

Kontrolli i sëmundjeve infektive është një nga pikat e planit të emergjencës që ka hartuar ministria e Shëndetësisë.

Në të theksohet se nevojitet hetim i shpejtë i çdo vatre të mundshme, dezinfektimi, dezinsektimi dhe deratizimi i tyre.

Kujdes i duhet kushtuar evidentimit grumbullimit dhe groposjes së kafshëve të ngordhura në bashkëpunim me Inspektoratin Veterinar, Inspektoratin e Mjedisit dhe Pushtetin Vendor.

Plani është përgatitur në përputhje me orientimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për emergjencën në situatat e përmbytjes dhe në përputhje me eksperiencat e mëparshme.

Në këtë plan veprimi, shëndetësia ka rolin e monitoruesit, analizuesit dhe orientuesit sanitar të veprimeve dhe bashkëpunimit me të gjithë aktorët e tjerë që kanë përgjegjësi për të ndërhyrë në infrastrukturë dhe me veprime të tjera të shumëllojshme që dalin jashtë kompetencave të veprimeve të shëndetësisë.

Plani i emergjencës shëndetësore "Për rehabilitimin sanitar të zonave të përmbytura" është objekt i rishikimit të vazhdueshëm në varësi të evoluimit të situatës.

b.m/NOA

KOMENTE