English

Basha: Holanda do të mbështesë liberalizimin e vizave për shqiptarët

Tiranë, 20 janar NOA - Holanda do të japë mbështetjen e plotë për liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë.

Mbështetja është deklaruar gjatë takimeve që ministri i Brendshëm, Lulzim Basha zhvilloi në Hagë me ministren e Brendshme të Holandës, Guusje Ter Horst dhe Sekretarin e Shtetit në Ministrinë e Drejtësinë, Joris Demmink.

Gjatë takimit me homologen Ter Horst, ministri Basha informoi mbi ecurinë e procesit të pajisjes së qytetarëve shqiptarë me pasaporta biometrike, instalimin e sistemeve më të avancuara për kontrollin kufitar dhe analizën e informacionit kriminal si dhe rezultatet e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ndërkohë, Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Drejtësisë së Holandës, Joris Demmink, pas takimit me ministrin Basha, deklaroi se Shqipëria është edhe më e përparuar se shumë shtete anëtare të BE në lidhje me aspektet teknike të dokumenteve të identitetit dhe sigurisë së kufijve.

"Kontrolli i kufijve dhe pasaportat tuaja janë shumë më të avancuara se ato që kanë në përdorim shumë shtete anëtare të Bashkimit Evropian. Pra, përsa i përket çështjeve teknike për pasaportat dhe sistemin e kontrollit të kufijve, ju jeni shumë para krahasuar me shumë vende të tjera.

Ne do ta shohim propozimin e Komisionit Evropian në mënyrë të favorshme, pasi ne e mbështesim idenë, që heqja e vizave të bëhet efektive sa më shpejt të jetë e mundur", u shpreh Demmink.

Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha siguroi gjatë këtyre takimeve se ashtu si misioni i mëparshëm në dhjetor 2009, edhe dy misionet e tjera që do të mbërrijnë nga Komisioni Evropian në Shkurt 2010 do të konstatojnë përmbushjen e kritereve të përcaktuara për liberalizimin e vizave të Shqipërisë me BE.

"Takimet dhe informimi i vazhdueshëm i partnerëve tanë të vendeve anëtare shërbejnë që të mos kemi asnjë pengesë dhe menjëherë pas vlerësimit të Komisionit Evropian për të cilin kam të gjitha arsyet për të qenë optimist, vendet anëtare, që janë vendimmarrësit, të mos vonojnë aspak dhe të marrin vendimin e shumëpritur nga shqiptarët" deklaroi për mediat pas takimeve ministri i Brendshëm, Lulzim Basha.

k.k/NOA

KOMENTE