English

Berisha për Panon: Dita e varrimit të tij, zi kombëtare. Qeveria mban një minutë heshtje

Tiranë, 20 janar, NOA - Kryeministri Berisha e ka shpallur zi kombëtare ditën kur do të zhvillohet ceremonia funebre e të njohurit Panajot Pano, të cilin ai e ka quajtur si "legjendë e futbollit shqiptar".

Një fakt të tillë ai e ka bërë me dijeni gjatë mbledhjes së qeverisë, gjatë së cilës ai urdhëroi edhe mbajtjen e një minute heshtje në fillim të saj për të gjithë ministrat në kujtim të Panos.

"Legjenda e Panajot Panos mbetet e pavdekshme dhe ai ka marrë vlerësimet më të mëdha", ka pohuar Berisha në fjalën e tij.

"I përjetshëm kujtimi i futbollistit të madh. E shpall ditë zie kombëtare, ditën e zhvillimit të ceremonisë funebre të legjendës së futbollit shqiptar, Panajot Pano. Atë ditë, në orën 12.00 duhet të mbahet nga të gjithë një minutë heshtje, ndërsa RTVSH të transmetojë muzikë funebre", ka qenë urdhri i lëshuar nga kreu i qeverisë për këtë çështje.

Më pas, ai ka ngarkuar ministrinë e Kulturës që të zhvillojë ceremonialin e varrimit të Panos dhe të përballojë të gjitha shpenzimet e tij.

n.e/NOA

KOMENTE