Uashington, 20 janar, NOA - Demokratët e përfaqësuar nga presidenti Barak Obama kanë pësuar një humbje të madhe në zgjedhjet për në Senatin amerikan në shtetin e Masaçusetit. Zgjedhja e një republikani në krye të tij, post ky i mbajtur për gati një gjysëm shekulli nga demokrati Eduard Kenedi ka përbërë një tronditje të madhe për Partinë Demokratike amerikane të kryesuar nga Obama.
Ka qenë kandidati republikan, Scott Broun, i cili ka mundur demokraten Martha Koakli, prokuroren e përgjithshme të shtetit.
Ndërkaq, Broun i bie që të bëhet në këtë mënyrë edhe republikani i 41-të në Senatin amerikan prej 100 anëtarësh.
Kjo do të mundësojë partinë e pakicës që të bllokojë legjislacionin e presidenit për kujdesin shëndetësor si dhe tërë axhendën tjetër legjislative. Humbja e demokratëve në këto zgjedhje erdhi në ditën që Obama mbushi një vit në Shtëpinë e Bardhë.
n.e/NOA