Zerijeta Hajro Jahjaga
Shkup, 20 Janar - Në të gjitha shkollat fillore shqipe në Maqedoni, të mërkurën u bojkotua vendimi i Ministrisë së Arsimit, që mësimi i gjuhës maqedonase të fillojë që në klasën e parë nga gjysmë-vjetori i këtij viti. Vendimin për bojkot të maqedonishtes për filloristët e morën të gjithë kryetarët e komunave me shumicë shqiptare, pasi arsimi fillor është në kompetenca të pushtetit vendor.
"Në shkollat fillore nuk zbatohet vendimi i Ministrisë së Arsimit për mësimin e gjuhës maqedonishte, që nga klasa e parë". "Arsyet janë të shumta: e para nuk janë respektuar proceduar e Ligjit për arsim fillor; e dyta bëhet një diskriminim i nxënësve shqiptarë në raport me ata maqedonas;". "Dhe, e treta, është ngarkesë e nxënësve shqiptarë për të mësuar dhe një lëndë plus ", thekson Shefket Zekolli, drejtues i Departamentit të arsimit në Komunën e Çairit të Shkupit. Ndërkohë, ministri i Arsimit, Nikolla Todorov, në një konferencë për shtyp theksoi se mësimi i maqedonishtes në shkollat shqipe nuk po bojkotohet në atë masë siç ishte paralajmëruar. Ai, me këtë rast, kërkoi që të mos politizohet procesi arsimor. "Sot nuk ka bojkot të përgjithshëm të mësimit; ka rezultuar me sukses apeli im që nxënësit të mos jenë sakrificë e disa proceseve politike në Maqedoni", thekson Todorov. Ndërkaq, ish-ministri Arsimit, Sulejman Rushiti, aktualisht deputet i partisë shqiptare në opozitë, Demokracia e Re, vlerëson se me vendimin e Qeverisë për të mësuar nxënësit shqiptarë maqedonishten nga klasa e parë, rrënohet funksionimi i shtetit multietnik. "Vendimi i Qeverisë që fëmijët shqiptarë, që në klasën e parë të mësojnë maqedonishten, është një mesazh që u jepet shqiptarëve se gjuha shqipe në Republikën e Maqedonisë nuk është gjuhë zyrtare". "Gjithashtu, mesazhi përmban edhe diçka tjetër - atë se gjuha shqipe nuk do të jetë zyrtare as edhe pas 12 vjetësh, kur këta fëmijë do të arrijnë moshën madhore dhe do të duhet të komunikojnë me shtetin". "Në shtetin multietnik, siç është Maqedonia, është shteti ai që duhet të komunikojë me qytetarin edhe në gjuhen shqipe dhe jo anasjelltas", shprehet Rushiti. Nga ana tjetër, partia maqedonase në opozitë, LSDM, vlerëson se hapja e një çështjeje kaq të ndjeshme mund t'i tensionojë raportet ndëretnike në një moment shumë të rëndësishëm për vendin. "Mendojmë se e gjithë kjo bëhet që të provokohet tensionimi i situatës në një moment, që më së paku është në interes të shtetit, ngase vendi gjendet në një situatë shumë të ndjeshme", vlerëson deputeti i LSDM-së, Andrej Petrov. Ai shpreh habi se, "pse partnerët e koalicionit VMRO-DPMNE dhe BDI hapin një çështje kaq të ndjeshme me qëndrime diametralisht të kundërta për të, në momentin kur duhet fokusuar të gjitha forcat në zhbllokimin e procesit të integrimit". Ndryshe, ministri i dikasterit të Arsimit, Nikola Todorov, takoi përfaqësues të organizatës joqeveritare "Realiteti", rreth nismës së kësaj të fundit për të vlerësuar kushtetutshmërinë e vendimit qeveritar për filloristët shqiptarë që të mësojnë gjuhën maqedonase nga klasa e parë. Mirëpo, drejtuesit e kësaj organizate, pas takimit, njoftuan se nuk do ta tërheqin vendimin e tyre nga gjykata dhe se ata apelojnë që shkollat shqipe të mos nisin të aplikojnë gjuhën maqedonase nga klasa e parë. /rfe/