English

Gjykata e Strasburgut pranon shqyrtimin e "Gërdecit"

Tiranë, 20 Janar NOA - Gjykata e Strasburgut konfirmoi sot se ajo ka pranuar të marrë nën shqyrtim kërkesën e familjarëve të viktimave të tragjedisë së 15 marsit 2008 në Gërdec dhe do të jetë palë në procesin me 29 të pandehur që po zhvillohet në Shqipëri.

Në përgjigjen e ardhur kallëzueses Zamira Durda, nena e Edison Durdës, fëmija që humbi jetën në këtë shpërthim sqarohet se sekretariati i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut ka marrë letrën e datës 9 nëntor 2009, ku shpjegohet edhe qëllimi i drejtuar asaj gjykate.

Durda vihej në dijeni në përgjigjen zyrtare se dosja e saj mban numrin 63543, ndërsa i është lënë një afat disa ditor për të përgatitur dosjen e tyre ku parashtrohen provat dhe pretendimet ligjore.

Familjarët e viktimave të Gërdecit në nëntor të vitit të kaluar iu drejtuan Gjykatës së Strasburgut duke ankimuar vendimin e marrë nga Gjykata Kushtetuese e cila rrëzoi kërkesën e tyre për t'u bërë palë në procesin gjyqësor penal.

Në tragjedinë e Gërdecit humbën jetën 26 vetë, rreth 300 të tjerë mbetën të plagosur në shkallë të ndryshme si dhe u shënuan dëme në vlerë rreth 18 milionë euro.

e.r/NOA

KOMENTE