Tiranë, 20 janar NOA - Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Erla Mëhilli ka dalë sot në një deklaratë për shtyp me anë të së cilës ka theksuar se PD dënon ashpër sulmet që kreu i PS-së, Edi Rama ka bërë ndaj Partisë Popullore Evropiane.
"Në mbledhjen e fundit të Asamblesë Kombëtare dhe në vazhdim, Edvin Kristaq Rama dhe suita e bllokmenëve të rinj në instinktin më të egër të etërve të tyre biologjike dhe historike, kanë ndërmarrë sulme kundër Partisë Popullore Evropiane, organizatës që grupon mbi 52 parti të Qendrës së Djathtë Evropiane dhe personaliteteve të këtyre partive.
Partia Demokratike e Shqipërisë, dënon sulmet dhe shpifjet e ulëta të punistëve të rinj ndaj Partisë Popullore Evropiane, partisë që grupon sot partitë në pushtet në Gjermani, Francë, Itali dhe shumicën e vendeve anëtare të BE-së, si sulme të frymëzuara fund e krye nga trashëgimia hoxhiste" tha Mëhilli.
Sipas zëdhënëses së PD-së, në Partinë Popullore Evropiane, kombi shqiptar dhe Shqipëria ka miqtë e saj më të mëdhenj, më të çmuar që me mbështetjen e tyre të plotë ndaj Partisë Demokratike kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në shndërrimet epokale në Shqipëri.
e.r/NOA