Vushtrri, 20 janar NOA - Për një vizitë komunës së Vushtrrisë, ka qëndruar ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Enver Hoxhaj, ku është pritur nga kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Bajram Mulaku, me bashkëpunëtorë.
Gjatë këtij takimi ministri Hoxhaj e ka uruar kryetarin Mulaku për mandatin e dytë si udhëheqës i kësaj komune, ndërsa me të ka biseduar rreth çështjeve të ndryshme që kanë të bëjnë me arsimin në përgjithësi në Komunën e Vushtrrisë.
"Me ligjin e ri për Arsimin Parauniversitar, (ligj për të cilin tashmë ka filluar debati publik), komunat do të marrin shumë më tepër kompetenca lidhur me arsimin, ndërsa shkollat do të marrin përgjegjësi shtesë" tha me këtë rast ministri Hoxhaj.
Ai theksoi faktin se edhe shkollat e Vushtrrisë, duke filluar nga janari i vitit 2011, do të kenë autonomi financiare dhe administrative. Duke qenë se me ligjin e ri, arsimi i mesëm do të jetë i obligueshëm, ministri Hoxhaj deklaroi se në komunën e Vushtrrisë do të ndërtohet edhe një shkollë e mesme e përgjithshme.
Ndërsa, kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Bajram Mulaku theksoi traditën intelektuale dhe arsimdashëse për të cilën njihet ky qytet. Kryetari Mulaku, po ashtu përmendi edhe rezultatet e mira që kanë treguar nxënësit e kësaj komune në Provimin Shtetëror të Maturës. Hajdin Islami/NOA