English

Obama, një vit më pas

Një vit që prej inaugurimit si president i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama ka trashëguar një numër çështjesh emergjente të politikës së jashtme. Gjatë vitit të parë si president, ai është vlerësuar si meritor për uljen e temperaturave globale politike

Nga Brian Whitmore Një vit që prej se është betuar të marrë detyrën, presidenti amerikan Barak Obama ende nuk e ka ndryshuar botën. Por, ajo çfarë Obama ka arritur, thonë analistët, ka të bëjë me përmirësimin e tonit në raportet ndërkombëtare, duke ulur kështu temperaturat politike globale dhe duke ringjallur në mënyrë dramatike imazhin e Shteteve të Bashkuara në botë.

Nikolas Gvosdev, profesor i studimeve mbi sigurinë kombëtare në Kolegjin e Marinës të Shteteve të Bashkuara, thotë se 2009-ta ishte më shumë trasim i rrugës për arritjen e synimeve konkrete. "Është e vështirë të saktësohen sukseset ose dështimet, sepse ai tash ka filluar realisht. Ai ka nisur disa procese, të cilat ende nuk kanë arritur të realizohen". "E shoh 2010-ën si vit kur ne do të fillojmë t'i shohim nga afër dështimet dhe sukseset nga ajo që ka nisur më 2009", thotë profesori Gvosdev. Xhejms Goldgajer, nga Këshilli për Marrëdhënie me Jashtë, thotë se politika e angazhimit e presidentit Obama deri më tash ka qenë politikë e largimit nga ajo që ka ushtruar paraardhësi i tij, Xhorxh Bush. "Në esencë, ju keni një president, i cili ka thënë se mënyra e vjetër nuk funksionon, në kuptimin e varshmërisë së tepruar mbi forcën ushtarake, për t'i bindur shtetet të bëjnë atë që duam ne". "Ai ka dashur ta ndryshojë këtë qasje, për t'u mbështetur më shumë te rivalët e Shteteve të Bashkuara, në përpjekje për të arritur atë, për të cilën synohet. Megjithatë, ende nuk është e qartë nëse kjo është arritur", thotë zoti Goldgajer. Duke ia shtrirë dorën Iranit, administrata shpreson ta bindë atë të heqë dorë nga programet nukleare. Duke e shtypur tastin e rifillimit në marrëdhëniet me Rusinë, Obama shpreson ta bindë Kremlinin të zbatojë një trysni më të madhe mbi Teheranin mbi çështjet nukleare dhe të fitojë më shumë bashkëpunim në transportimin e pajisjeve ushtarake në Afganistan. Dhe, duke mos e turpëruar publikisht Kinën për trajtimin e dobët të të drejtave të njeriut, Obama shpreson të krijojë politika të përfitueshme monetare për ekonominë botërore. E përjavshmja "Economist", ka qenë e ashpër në vlerësimet e saj mbi strategjinë e presidentit amerikan Obama, duke thënë se ai "ka qenë në një turne botëror të vullnetit të mirë, duke preferuar më shumë dorën e hapur dhe jo grushtin. Megjithatë, ende nuk ka arritur të dëshmojë gjë për këtë strategji, përveç disa shuplakave në fytyrë". Eduard Lukas nga kjo e përjavshme thotë se për të funksionuar një strategji e këtillë, duhet pasur edhe dhëmbë për të treguar. "Nuk mjafton vetëm të jesh i mirë. Kur merresh me disa regjime të tmerrshme, ne ende presim të tregohet një formë e ashpërsisë ndaj tyre. Dora jonë është e zgjatur. Nëse nuk e pranojnë atë, atëherë prapa saj duhet të jetë të paktën një e shtyrë", thotë zoti Lukas.

Megjithatë, është një fushë, thonë analistët, ku Obama synon të ketë arritje të jashtëzakonshme. Fjala është për imazhin e Shteteve të Bashkuara në botë. Profesori Gvosdev shpjegon: "Ai është në proces të përmirësimit të imazhit, frytet e të cilit, mbase do të mund të shihen pas dy vitesh". "Kjo mund të çojë drejt transformimit në kuptimin e lidershipit amerikan në kuadër të komunitetit të shteteve. Ende nuk kemi arritur aty, pjesërisht për faktin se sukseset ende nuk janë në dukje". Eduard Lukas, ndërkaq, mendon se restaurimi i autoritetit moral të Uashingtonit është arma kryesore në arsenalin e politikës së jashtme amerikane, e cila mund të jetë shumë e përdorshme në kohën kur Obama merret me Iranin, Afganistanin dhe Rusinë. "Vlera më e madhe që ende e ka ai, është autoriteti moral. Kjo nuk është një administratë e Abu Ghraibit apo Guantanamos". "Është një administratë, e cila synon të përmirësojë imazhin e dëmtuar. Elementi thelbësor në të gjitha çështjet e politikës së jashtme, ku përfshihet Amerika, është fakti se duhet të ketë një bazë morale", thotë zoti Lukas. Ajo që është e rëndësishme, thotë ai, është se ne tani mund të flitet hapur për këtë bazë morale.

KOMENTE