English

Përmbytjet, Felaj: Qeveria të mbajë përgjegjësitë e saj

Tiranë, 20 janar NOA - Deputetja e Partisë Socialiste, Ermonela Felaj ka dalë sot në një deklaratë për shtyp me anë të së cilës i bëri thirrje kryeministrit Sali Berisha të mbajë përgjegjësitë e saj për përmbytjet në veri të vendit.

"Të gjithë shqiptarët kanë parë këto ditë sesi qeveria e Sali Berishës po përpiqet me të gjitha mënyrat të tërheqë vëmendjen nga katastrofa e pashoqe që u shkaktoi banorëve të Shkodrës, ku me diversione për seanca të jashtëzakonshme, por që në fakt parashikohen nga Kushtetuta, e ku me përralla për heqje mandatesh.

Saliu dhe Jozefina po bëjnë të pamundurën që përmbytjet të harrohen, ashtu siç harruan përmbytjet në Fier e Vlorë, apo viktimat e tërmetit në Dibër.

Jo vetëm kaq, por të gjithë shqiptarët janë dëshmitarë të mënyrës cinike e fyese sesi qeveria e Sali Berishës e Jozefina Topallit po përpiqet të dalë palagur nga kjo katastrofë me deklarata absurde që ia atribuojnë katastrofën tërheqjes së hënës e humbjes se fuqisë thithëse të detit, ngrohjes globale apo ndëshkimeve nga perëndia që vijnë një herë në 100 vjet. Por Sali Berisha e ka të kotë. Faktet e paraqitura në vazhdimësi nga Partia Socialiste i bëjnë këto përpjekje sa qesharake aq dhe të kota" tha Felaj.

Ajo shtoi se PS i bën thirrje qeverisë që në qoftë se i ka ngelur qoftë edhe në fije ndërgjegje qytetare, që në qoftë se ndjen qoftë edhe një grimë përgjegjësi për vuajtjet dhe traumën e pësuar nga banorët e Shkodrës, të mos harrojnë përgjegjësinë që kanë kundrejt banorëve të dëmtuar edhe për sa i përket nxjerrjes përpara drejtësisë shkaktarëve të kësaj katastrofe.

"Mbi të gjitha i bëjmë thirrje Prokurorisë shqiptare që të bëjë detyrën e saj e të vihet në veprim për të hetuar të gjitha faktet e provat e publikuara ditët e fundit nga Partia Socialiste" përfundoi deputetja e PS-së.

k.k/NOA

KOMENTE