English

Përmbytjet, ministria e Brendshme: Situata në qarkun e Shkodrës drejt normalizimit

Tiranë, 20 janar NOA - Ministria e Brendshme lëshoi sot në mesditë një deklaratë me anë të së cilës njoftoi se situata në zonat e prekura nga përmbytja në Qarkun e Shkodrës po shkon drejt normalizimit.

Aktualisht në të gjitha akset rrugore drejt komunave dhe fshatrave qarkullimi kryhet normalisht nga të gjitha llojet e automjeteve, duke përjashtuar aksin rrugor për në Velipojë tek Ura e Gjo Lulit ku mund të kalohet vetëm me mjete të rënda.

Një ekip i ministrisë së Mjedisit me ekspertët përkatës po inspekton zonën e prekur nga përmbytja me qëllim hartimin e planeve dhe përcaktimin e zonave të ndërhyrjes.

Specialistët dhe punonjësit e Drejtorisë Rajonale të Shëndetit Publik vijojnë edhe sot dezinfektimin e sistemit të ujësjellës kanalizimeve.

Vijon gjithashtu shpërndarja e ndihmave ushqimore dhe ushqimit për bagëtinë sipas planit të miratuar nga Komiteti Ndërministror i Emergjencës Civile.

Në bazë të detyrave të përcaktuara nga Komiteti Ndërministror, sot strukturat e Forcave të Armatosura të Komunës Velipojë dhe Bordit të Kullimit po punojnë për riparimin dhe mbushjen me çakull e gurë të rrugës për në argjinaturën e Çasit.

Po kështu këto struktura vijojnë edhe sot punën për riparimin dhe mbushjen e argjinaturës së Dajçit në Samrisht, Daragjat, Shirq dhe Marinaj.

Sipas ministrisë së Brendshme, aktualisht në rrethinat e Shkodrës janë 4964 hektarë tokë të përmbytura, 135 shtëpi të përmbytura, 486 shtepi te rrethuara nga uji si dhe 1643 perasona të evakuuar.

k.k/NOA

KOMENTE