English

Personalisht

Për lirinë e lëvizjes kishte folur edhe presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, gjersa e paralajmëronte vizitën e tij në Kosovë. Por, ai nuk u ndalua. Dhe kjo nuk ndodhi vetëm kësaj here. Tadiç kishte qenë këtu edhe vitin e kaluar por prapë s'ishte ndaluar, megjithëse ai gjithmonë flet për Kosovën si pjesë të Serbisë

Zgjim Hyseni

Tek po udhëtoja nëpër qytet me një autobus të trafikut urban, rreth orës 15:00, filluan lajmet. Nga hallet e përditshmërisë sonë, nuk vërehej ndonjëfarë interesimi për to. Megjithatë, zëri i folësit që po i jepte lajmet seç vërehej se dëshiron të theksonte diçka të jashtëzakonshme. Goran Bogdanoviç, i ashtuquajturi ministër i Serbisë për Kosovën, u tha që është dëbuar nga Kosova. Ai ishte ndaluar në Shtërpce dhe kishte tri ditë që gjendej në Kosovë. Arrestimi u bë lajmi i ditës, ndërkohë që ai po zhvillonte aktivitet politik prej ditës së dielë, dhe për këtë fakt opinioni nuk dinte gjë. Kjo madje nuk është hera e parë që Bogdanoviç ndalohet. Kujt i kujtohet, ai qe ndaluar edhe dy herë të tjera vitin e kaluar. Një herë në kufi (Merdare), dhe herën tjetër në urën e Ibrit (prapë në kufi, veçse jo të zyrtarizuar). Gjatë bisedës me gazetarë, Bogdanoviç kishte përmendur lirinë e lëvizjes. Ai ishte ankuar se po i mohohej liria e lëvizjes në "Kosovë e Metohi" dhe se nuk do të kërkonte kurrë leje për të lëvizur në territorin e shtetit të tij. Liria e lëvizjes, kjo frazë që tingëllon demokratike kohëve të fundit është bërë mbulesë për veprimtarinë armiqësore të funksionarëve të shtetit serb.

Është interesant të ndalemi pak tek kjo fraza "liria e lëvizjes". Çfarë nënkuptojnë zyrtarët serbë me të? Serbia menjëherë pas shpalljes së pavarësisë i dogji pikat kufitare 1 dhe 31 dhe prej atëherë nuk doganohet asnjë mall që hyn andej. Në veri tashmë u realizua liria e lëvizjes - mallrat serbe hyjnë në Kosovë pa pengesë, kufiri i Kosovës në portat 1 dhe 31 në veri nuk ekziston. Liria e lëvizjes për Serbinë është lëvizje e përparim i ndikimit serb në Kosovë. Liria e lëvizjes për Serbinë është bllokim i perspektivës për qytetarët tanë.

Sepse, në anën tjetër, shteti serb i ka bllokuar kufijtë dhe nuk lejon kalimin e njerëzve me pasaportat e Kosovës, ajo nuk lejon as hyrjen e produkteve kosovare për në Serbi qoftë edhe si rrugë transit për në vendet e tjera.

Për lirinë e lëvizjes kishte folur edhe presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, gjersa e paralajmëronte vizitën e tij në Kosovë. Por, ai nuk u ndalua. Dhe kjo nuk ndodhi vetëm kësaj here. Tadiç kishte qenë këtu edhe vitin e kaluar por prapë s'ishte ndaluar, megjithëse ai gjithmonë flet për Kosovën si pjesë të Serbisë. Si mund të shpjegohet gjithë kjo situatë? A thua Thaçi e Sejdiu i besuan Tadiçit "demokrat", e nuk i zunë besë Bogdanoviçit të egër? Si ndodhi që Bogdanoviç u ndalua, ndërsa Tadiç u lejua? Sipas çfarë kriteri vlerësues presidenti i një shteti armik mund të hyjë në Kosovë ndërsa ministri i tij jo? A nuk është roli i presidentit më i lartë në hierarki? Pse është i dëmshëm Bogdanoviç e jo Tadiç? Çfarë është më i mirë Tadiç se Bogdanoviç? Apo ndoshta problemi është tek ne, që po kërkojmë parime aty ku nuk ka?! Po kërkojmë kritere atje ku e vetmja mënyrë vlerësimi është interesi privat i politikanëve. Nga refuzimi i Bogdanoviçit dhe pranimi i Tadiçit po del që krerët e Kosovës paskan probleme personale me Bogdanoviçin, ndërsa Tadiçi qenka në rregull. Qeveri private me probleme personale me politikanë.

U tha që Bogdanoviç nuk i respektoi procedurat. Kjo i bie që Tadiç i paska respektuar ato. Dhe procedurat janë, siç tregojnë ata vetë, dorëzimi i kërkesës tek zyra e BE-së në Beograd, për ta përcjellë këtë të fundit tek zyra e BE-së në Prishtinë, ndërsa zyra e BE-së në Prishtinë ua përcjell institucioneve të Kosovës. Pra, Serbia e dorëzon kërkesën tek zyra e BE-së, institucion ky me të cilin kjo e fundit ka marrëveshje për Kosovën. Këtu e kam fjalën për marrëveshjen ku BE-ja ia pranoi tri kushtet Serbisë e përmes të cilave u mundësua funksionalizimi i EULEX-it: 1) baza juridike e EULEX-it të jetë R1244; 2) EULEX mos ta zbatojë Planin e Ahtisaarit; 3) EULEX të jetë neutral karshi statusit.

Pra, kjo është procedura me të cilën janë pajtuar institucionet e Kosovës. Pavarësisht a do ta njohë Serbia Kosovën, pavarësisht që ajo na i ka bllokuar kufijtë e na lufton ekonomikisht, pavarësisht që ajo na ka dërguar kolektivisht në Hagë, Serbia paguan struktura paralele deri tek ato të shërbimit sekret serb në Kosovë. Pavarësisht që ajo na e lufton pavarësinë, mjafton kjo procedurë e gjorë për të hyrë kushdo nga funksionarët serb në Kosovë, e Thaçi e Sejdiu t'i thonë mirë se erdhe!

KOMENTE