Tiranë, 20 Janar NOA - Ylli botëror i futbollit Kristiao Ronaldo tha sot në Tiranë se ndjehet më i lirshëm dhe më i qeshur, ndryshe nga hera e kaluar kur erdhi në Shqipëri që ishte më serioz dhe paksa i kontraktuar.
Ronaldo erdhi sot në mesditë në Tiranë së bashku me ekipin e Realit të Madridit, për të zhvilluar në fushën e stadiumit "Qemal Stafa" takimin miqësor me Gramozin, ku do të caktohet edhe trofeu i tretë "Taçi Oil".
Ronaldo dhe Kaka, bashkë me trainerin Pellegrini dolën në një konferencë për shtyp, ku folën mbi ndeshjen e sotme.
"Kur erdha me kombëtaren portugeze ishte një ndeshje kualifikuese dhe natyrisht qëndrova më shumë serioz, sepse ndodheshim në pozicion të vështirë", - tha Ronaldo.
Kurse shtoi: "Sot, unë jam më i qeshur dhe shpresoj t'i zbavitim ata që do të jenë në stadium".
Kurse ylli tjetër i futbollit, braziliani Rikardo Kaka i cili gjithashtu vjen për herë të dytë në Tiranë, pas sfidës Shqipëria B - Milan, u shpreh i lumtur që rivinte në Shqipëri.
Me ekipin e Real nuk gjenden Higuain, Van Nistelrooy dhe Van der Vaart, që të tre të dëmtuar.
Real Madrid është një nga klubet sportive më të mëdha në botë dhe sezonin e fundit presidenti Florentino Perez me merkaton qindra milionë euro pretendon ta rikthejë sërish në majat e futbollit botëror.
Sakaq, Manuel Pellegrini, trajner i Real Madrid shprehu kënaqësinë që gjendet këtu, "për më tepër se të ardhurat nga shitja e biletave do të shkojnë për bamirësi për zonat e përmbytura. Shpresoj që në takimin e sotëm të mbeten të gjithë të kënaqur".
Plot 2.5 milionë euro arkëton Real i Madridit, për këtë ndeshje miqësore që po zhvillon në Shqipëri me skuadrën modeste të Gramozit të Ersekës.
r.b/NOA Ndeshja live tek NOA