Prishtinë, 20 janar, NOA - Projekti për termocentralin "Kosova e Re" do të mbledhë në një konferencë ndërkombëtare që mbahet në Prishtinë investitorët potencialë të interesuar për ndërtimin e tij. Bëhet me dijeni se janë mëse kompani ndërkombëtare dhe kosovare që pritet të marrin pjesë gjatë saj, duke treguar në këtë mënyrë interes të drejtpërdrejtë për këtë projekt.
Vlera e këtij projekti, sipas autoriteteve, pritet të jetë ndërmjet 700 milionë dhe 1 miliardë euro. Në fakt, projekti "Kosova e Re", ka zëvendësuar projektin e dikurshëm "Kosova C", të publikuar në vitin 2006, i cili ka qenë dashur të realizohet këtë vit dhe çmimi i të cilit ka qenë 3 miliardë dollarë.Me projektin e ri, termocentrali parashikohet t'i ketë fillimisht 500 megavatë, me mundësinë e shtimit të 500 megavatëve të tjerë. Sipas projektit të vjetër ndërkaq, termocentrali është dashur t'i ketë 2.000 megavatë.
Nga ana e tij, lidhur me një fakt të tillë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vlerësuar se kjo"pjesëmarrje tregon se Kosova është ambient i sigurt për investuesit e jashtëm. "Interesimi i madh i investitorëve për konferencën ndërkombëtare është shenja më e mirë se në Kosovë është krijuar ambient i qetë dhe i sigurt për investitorët ndërkombëtarë", ka thënë kryeministri Thaçi, duke theksuar se qeveria e Kosovës "do të mbrojë të drejtën e aksioneve në sektorin e energjisë dhe në të gjithë sektorët e tjerë strategjikë", është shprehur Thaçi lidhur me konferencën e sotme. n.e/NOA