Tiranë, 20 janar NOA Komuniteti i banorëve të njësisë bashkiake nr.10 ka ndërmarrë një nismë qytetare për të ndihmuar fëmijët e zonave të përmbytura në qarkun e Shkodrës.
Koordinatori për komunitetin pranë minibashkisë nr.10, Denis Zavalani, thotë se nisma është e ndarë në dy faza, ndihma për shkollat dhe ndihmë psikologjike për fëmijët e prekur nga fatkeqësia.
"Ndihma e parë direkt do të jetë për shkollat. Ne kemi menduar të ftojmë qytetarët të kontribuojnë për blerjen e mjeteve didaktike dhe materialeve për shkollat e përmbytura në komunat e Shkodrës që u prekën nga fatkeqësia.
Ndërsa faza e dytë ka të bëjë me ndihmën që do t'u jepet fëmijëve të traumatizuar nga fatkeqësia. Ne kemi menduar të zbresim në terren aktorët e teatrit të kukullave për të improvizuar shfaqje e filma për këta fëmijë. Në këtë periudhë kur prindërit e tyre po merren me rikuperimin e dëmeve që shkaktuan përmbytjet, këta fëmijë kanë nevojë për përkujdesje të cilën mendojmë t'ua ofrojmë ne përmes kësaj nisme qytetare", tha Zavalani.
b.m/NOA