Shkodër, 21 Janar NOA/ Daniela Xhardo - Tetë plumba, ka pasur në dispozicion një adoleshent në Shkodër, të gjitha me synimin e qartë, për t'i marrë jetën një tjetër të mituri, ardhur në jetë një vit pas tij.
Për të përmbushur "misionin" e tij, 17-vjeçari Xhulio K., një djalë i lindur dhe banues në fshatin Barbullush të Shkodrës, ka përdorur një pistoletë tip TT, të cilën ende policia edhe pasi e vuri sot në pranga, nuk është në gjendje të thotë se ku e kishte gjetur.
Shënjestër e sulmit me synim vrasjen, ka qenë 16-vjeçari N.F., lindur e banues në Bushat të rrethit verior.
Ngjarja ka ndodhur mesditën e djeshme në Bushat ku edhe banon "shënjestra" e 17-vjeçarit.
Në rrethana ende jo shumë të qarta, dy adoleshentët janë përplasur mes tyre, në një konflikt për motive të dobëta që precipitoi aq sa njëri prej tyre, Xhulio, nxori pistoletën që mbante fshehur në brez dhe me të sulmoi "prenë" e tij.
I mituri duket se ka qenë me fat sepse në vendngjarje është vënë alarmi dhe për rrjedhojë, 17-vjeçari nga Barbullushi ka vrapuar t'i shpëtojë një ndjekje të mundshme policore.
Aventura nuk ka zgjatur shumë. Forca të shumta policore kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë rrethuar zonën,
Ndërsa një pjesë e uniformave blu mori nën mbrojtje fizike të miturin, pjesa tjetër u shpërnda në ndjekje të të dyshuarit, i cili dy orë më pas, ra në pranga, pa rezistencë.
Policia tha sot se të dyshuarit iu gjetën dhe sekuestruan si prova materiale, pikërisht pistoleta me të cilën u bë "trim" i mituri dhe fisheku me tetë plumba që kishte përgatitur për t'ia shkrehur 16-vjeçarit.
Ndërsa gjendet në qelitë e paraburgimit policor, 17-vjeçari përballet paraprakisht me akuzat për veprat penale të kanosjes për jetën dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municioneve, por ende nuk dihet nëse do të mbahet në burg deri në përfundimin e procesit gjyqësor apo do të dalë jashtë hekurave, për shkak të moshës nën 18 vjeç.
d.xh/e.r/NOA