English

Dështimet për të kontrolluar SHISH

Një përpjekje për ndrysim në ligjin për Shërbimin Informativ Kombëtar ka ngjallur dyshime të besueshme se kryeministri Berisha po konsolidon një rrjet shërbimesh sekrete paralel me SHISH, duke anashkaluar këtë institucion nga funksionet e tij, pasi ka dështuar në vendosjen e kontrollit mbi të. Ndryshimet synojnë të fuqizojnë shërbimet e informacionit që varen nga qeveria dhe që janë të shpërndarë në disa dikastere si polici, mbrojtje, financa, etj.

Mero Baze*

Kryeministri Berisha po përpiqet të krijoje një infrastrukturë të re të shërbimeve të fshehta që kontrollohen prej tij, pasi nuk ka mundur të fusë dot nën kontroll për shkak të legjislacionit dhe presionit ndërkombëtar, Shërbimin Informativ Shtetëror.

Me një strategji të qartë injorimi dhe bashkëpunimi për mbi katër vjet, Berisha i ka humbur SHISH rëndësinë si një institucion funksional në ndihmë të qeverisë, dhe ka reduktuar potencialet e tij financiare dhe njerëzore, duke vënë në dyshim dhe luftën kundër terrorizmit dhe bashkëpunimin me aleatët perëndimorë.

Paralelisht me këtë strategji injorimi dhe reduktimi të funksioneve të SHISH, Berisha rriti rëndësinë e shërbimeve inteligjente që varen prej tij dhe që janë pjesë funksionale e dikastereve të rëndësishëm si Mbrojtja, polica dhe financat.

Në të tri këto poste njerëzit kyçë që drejtojnë janë lidhje personale të Sali Berishës, të cilët me ndryshimet ligjore të para disa muajve dhe fuqizimin e kompetencave të tyre, kanë tani të drejt të survejojnë, dhe kontrollojnë bizneset mediat dhe politiken për arsye te paqarta për opinionin publik.

Kështu SHKB, shërbimi sekret i policisë, drejtohet nga njerëz personal të Berishës dhe shërben si një instrument kontrolli i tij mbi pjesën tjetër të Ministrisë. Edhe pse shpesh ky institucion ka devijuar nga funksioni i vet, ai nuk ka pasur asnjë pasoje. Detyra e tij kryesore është të përfaqësoj Berishën brenda policisë dhe t'i raportojë atij në mënyrë diskrete informacione të rezervuara.

E njëjta gjë ndodh dhe me SHIU, shërbimin informativ te Ushtrisë ku Berisha ka emëruar në poste kyçe njerëz të familjes së tij, për ta përmbyllur këtë skemë me Task Forcën e Ministrisë së Financave ku ka emëruar ish Gjeneral Agim Shehun, një njeriu të përdorur prej tij si instrument ndaj kundërshtareve politik dhe në periudhën para vitit 1997. Me këtë infrastrukturë private, që në të vërtet zëvendëson shërbimin Informativ, Berisha ia ka arritur praktikisht të ndërtoj një shërbim të shumëfishtë informative që varet dhe raporton vetëm para tij.

Tashmë pengesa e fundit është autoriteti i SHISH dhe atë po përpiqet ta denigrojë duke e detyruar të raportoj para shërbimeve që varen nga kryeministri, duke banalizuar funksionet e tij.

Ky zhvillim është i rrezikshëm në një shtet, që është arbitrar me ligjin, që ka demonstruar qartë se nuk respekton liritë njerëzore, lirinë e shtypit, liritë politike dhe ato ekonomike. Po ti shtosh kësaj klime dhe drejtimin e këtyre institucioneve me njerëz të familjes Berisha ose ushtarë të bindur të tij, atëherë mund të themi pa frike se gjendemi pra një infrastrukture antidemokratike, të krijuar me ligj për të formua një shtet brenda shtetit, i cili funksion për llogari të pushtetit të kryeministrit Berisha.

Objekti i tij tashmë nuk janë më as pastrimi i pareve, as krimi i organizuar, as lufta kundër terrorizmit, por përgjimi dhe përndjekja e gazetareve kritik, kundërshtarëve politike të kryeministrit dhe bizneseve që nuk janë nën kontrollin e tij ose që prishin planet e biznesit të familjes s së tij.

(*) Dërguar nga autori, pikëpamjet në shkrim janë personale

KOMENTE