English

G99: SHISH një organ kushtetues larg ndikimit të qeverisë

Tiranë, 21 janar NOA - "Sot, në momentin kur vendi sapo ka kaluar një katastrofë me përmasa e pasoja tepër të rënda, kur qeveria duhet të jetë në krye të detyrës për të normalizuar gjendjen e banorëve në zonat e përmbytura dhe për të mundësuar kompensimin e plotë të dëmeve, kjo mazhorancë edhe një herë devijon vëmendjen e opinionit publik, duke u marrë me një çështje sa periferike aq edhe problematike, siç është mandati dhe kompetencat e Shërbimit Informativ të Shtetit".

Kështu ka deklaruar sot përfaqësuesi i G99, Genci Kojdheli i cili shtoi se përmes një vendimi të kaluar dje, qeveria po tenton të kufizojë mandatin e drejtuesve të Shërbimit Informativ Kombëtar, pa dhënë shpjegim se përse është e nevojshme kjo manovër, pa u konsultuar me opozitën, dhe pa konsideruar opinionin e partnerëve ndërkombëtarë në këtë fushë.

"Duam të theksojmë se tentativat e kësaj qeverie për të kontrolluar SHISH kanë nisur që në mandatin e kaluar, me përpjekjen për ta kaluar SHISH nën hyqmin e Ministrisë së Brendshme.

Nuk do të shqetësoheshim aspak për këtë ripërkufizim të mandatit dhe kompetencave të SHISH sikur iniciativa të mos vinte nga mazhoranca e drejtuar prej Z. Berisha. Të gjithë e mbajnë mend kohën kur Shërbimi Informativ ishte vetëm një vegël në duart e presidentit të asokohe, dhe shërbente si një institucion dhune, frikësimi e represioni.

I kërkojmë kësaj qeverie që të kthejë sytë nga problemet e mprehta të vendit, nga zonat e përmbytura, nga varfëria e tejskajshme, kriza ekonomike, e reforma e pronës, dhe të mos prekë e tentojë të uzurpojë institucionet kushtetuese, ashtu si nuk ka hezituar të bëjë në të shkuarën" përfundoi Kojdheli.

k.k/NOA

KOMENTE