English

Ibrahim Rugova, përkujtohet 4-vjetori i ndarjes nga jeta

Prishtinë, 21 janar, NOA - Kosova përkujton sot 4-vjetorin e vdekjes së ish-presidentit Ibrahim Rugova. Katër vjet më parë, më 21 janar të vitit 2006, presidenti i parë i Kosovës, Ibrahim Rugova, ndërroi jetë pas një beteje me kancerin në mushkëri. Për këtë, është parashikuar që në këtë vend të zhvillohen homazhe dhe një akademi përkujtimore, e cila do të mbahet nën patronazhin e presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Biografia

Ibrahim Rugova u lind më 2 dhjetor 1944 në fshatin Cerrcë, komuna e Istogut, në Kosovë. Më 10 janar 1945, komunistët jugosllavë ia pushkatojnë babain e tij Ukë Rugova dhe gjyshin Rrustë Rugova, që kishte qenë luftëtar i njohur kundër çetave çetnike që po depërtonin gjatë Luftës së Dytë Botërore në krahinën e Rugovës. Ibrahim Rugova mbaroi shkollimin e mesëm në Pejë më 1967. Diplomoi në Degën e Albanologjisë të Fakultetit të Filozofisë të Universitetit të Prishtinës më 1971.

Zoti Rugova qëndroi gjatë një viti akademik (1976-77) në Paris, në Ecole Pratique des Hautes Etudes, nën mbikëqyrjen e Prof. Roland Barthes-it, ku ndoqi interesimet e veta shkencore në studimin e letërsisë, me përqëndrim në teorinë letrare. Ibrahim Rugova mori doktoratën në letërsisë në Universitetin e Prishtinës më 1984. Më 1996, ai u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Arteve dhe të Shkencave të Kosovës. Po në këtë vit ai u shpall doktor nderi i Universitetit të Parisit VIII në Paris.

Autor i dhjetë librave (shih më poshtë), Dr. Ibrahim Rugova ishte në nismë redaktor në gazetën e studentëve "Bota e re" dhe në revistën shkencore "Dituria" (1971-72), që botoheshin në Prishtinë. Pastaj për afro dy dekada, Dr. Rugova punoi në Institutin Albanologjik të Prishtinës si hulumtues i letërsisë. Për një kohë ka qenë kryeredaktor i revistës "Gjurmime albanologjike", që e nxirrte ky Institut.

Dr. Rugova është zgjedhur kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës më 1988, i cili u bë bërthamë e fuqishme e lëvizjes shqiptare që po kundërshtonte sundimin komunist serb/jugosllav në Kosovë. Si intelektual me nam që i jepte zë kësaj lëvizjeje intelektuale e politike, Dr. Rugova u zgjodh më 23 dhjetor 1989 kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), partisë së parë politike në Kosovë që e sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi.

LDK-ja u bë shpejt forca politike prijëse në Kosovë, duke mbledhur shumicën e popullit, edhe pse në ndërkohë u shfaqën në skenë edhe edhe parti e grupe të tjera.

Nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës, LDK-ja, në bashkëpunim me forcat e tjera politike shqiptare në Kosovë dhe me Kuvendin e atëhershëm të Kosovës, përmbylli kornizën ligjore për institucionalizimin e pavarësisë së Kosovës.

Deklarata e Pavarësisë (2 korrik 1990), shpallja e Kosovës Republikë dhe miratimi i kushtetutës së saj (7 shtator 1990), referendumi popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës mbajtur në fund të shtatorit të vitit 1991, qenë prelud për zgjedhjet e para shumëpartiake për Kuvendin e Kosovës dhe zgjedhjet presidenciale në Republikën e Kosovës më 24 maj 1992.

LDK-ja fitoi shumicën dërrmuese të deputetëve në Kuvend, në të cilin përfaqësoheshin edhe tri parti të tjera, ndërsa Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh Kryetar i Republikës së Kosovës me shumicë dërrmuese të votës.

Dr. Ibrahim Rugova u rizgjodh Kryetar i Republikës së Kosovës në zgjedhjet e mbajtura në mars të vitit 1998. Partia e tij, LDK, fitoi shumicën e vendeve në Kuvendin e Republikës së Kosovës në atë vit.

Nën udhëheqjen e Rugovës, LDK-ja fitoi 58% të votave të elektoratit në zgjedhjet lokale, të sponsorizuara ndërkombëtarisht, në Kosovën e pasluftës, në tetor të vitit 2000.

n.e/NOA

KOMENTE