English

Incidenti me avionin që ndërroi destinacion, Meta: Nuk cenon marrëdhëniet mes vendeve

Tiranë, 21 janar NOA - Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta priti sot homologun e tij sllovak, Miroslav Lajçak.

"Vizita e Lajçak si Ministër i Punëve të Jashtme të Sllovakisë është shumë e rëndësishme sepse ajo hap një kapitull të ri të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Sllovakisë duke përuruar dhe ambasadën e re të Sllovakisë nesër në Tiranë.

Ne kemi rënë dakord për t'i zhvilluar me një intensitet të ri marrëdhëniet tona mes dy vendeve, të cilat janë të shkëlqyera nga pikëpamja politike. Natyrisht që ne nuk jemi të kënaqur për nivelin aktual të bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, por jemi të vendosur për të ecur sa më shpejt në këtë drejtim, duke vazhduar së shpejti me nënshkrimin e "Marrëveshjeve për eliminimin e taksimit të dyfishtë dhe nxitjen e mbrojtjen e investimeve" tha sot gjatë një konference për shtyp Meta.

Ministri i Jashtëm, Ilir Meta u pyet nga gazetarët nëse do të ketë nga ana e tij ndonjë note proteste për ngjarjen e shkaktuar pak ditë më parë në lidhje me devijimin e intinerarit të avionit nga Bolonja në Bratislavë, ndërsa ai iu përgjigj se ky incident, i rëndë, nuk mund të cenojë marrëdhëniet midis dy vendeve.

"Kemi të bëjmë me një veprim krejtësisht të papërgjegjshëm dhe të dënueshëm të ekuipazhit që drejton avionin, por ky është një problem midis dy kompanive. Ndërkohë ne do t'a ndjekim këtë çështje, por pa e ngatërruar këtë në marrëdhëniet midis dy shteteve dhe dy qeverive" tha Meta.

Ndërsa nga ana e tij lidhur me këtë ngjarje, ministri i jashtëm i Sllovakisë tha se "kjo nuk është çështje ndërmjet dy vendeve tona, por është një çështje që ka të bëjë midis dy kompanive përkatëse. Natyrisht që ne kemi kërkuar dhe do të kërkojmë që kjo trajtohet nga entet përkatëse, sa më mirë dhe sa më plotë, në përputhje me ligjet dhe standardet përkatëse.

k.k/NOA

KOMENTE