English

Krujë, gjendet kufoma e një djali në liqen, policia: Mund të jetë vetëmbytur

Krujë, 21 janar NOA - Trupi i pajetë i një 24-vjeçari është gjetur sot në një liqen pranë qytetit të Krujës.

Kanë qenë disa kalimtarë të rastit të cilët kanë vënë re trupin e një njeriu pranë bregut të liqenit.

Menjëherë është lajmëruar policia e cila mbërriti në vendngjarje për të zbardhur rrethanat.

Forca të shumta policia ka rrethuar vendin ku u gjet kufoma ndërsa pas këqyrjes së vendit kanë marrë trupin e pa jetë për ta transportuar në morgun e spitalit.

Burime nga policia thanë për agjencinë e lajmeve NOA se pas hetimeve të para rezultoi se trupi i pajetë i përket 24-vjeçarit nga Elbasani Aspi Debrova.

Sipas të njëjta burimeve, kufoma ishte e dekompozuar çka tregon se ndodhej prej disa ditësh në ujërat e liqenit, ndërsa në trup nuk janë konstatuar shenja dhune.

Dyshohet se 24-vjeçari është vetëmbytur në liqen, ndërsa familjarët ishin vënë në kërkim të tij prej disa ditësh.

Policia tha se po punon për të zbardhur rrethanat që kanë detyruar të riun t'i japë fund jetës.

k.k/NOA

KOMENTE