Tiranë, 21 janar NOA - Kryeministri, Sali Berisha prit sot një grup investitorësh kanadezë, të sjellë në Shqipëri nga Tie Domi, hokeisti i famshëm kanadez, me origjinë shqiptare.
Ky grup përbëhej nga përfaqësues të tre kompanive të mëdha, Zëvendëspresidenti i GMP Michael Wekerle, Drejtori Ekzekutiv dhe Partner i SmartCentres, partner të Wall Mart, Mitchell Goldhar dhe Drejtori i grupit të financimit të energjisë të NATIONAL BANK, Sandy Edmonstone.
Ata i thanë kryeministrit se e shohin Shqipërinë si vendin më të tërheqës dhe të mundshëm për implementimin e projekteve të tyre në fushën e nxjerrjes dhe kërkimit të naftës, të mineraleve dhe përpunimit të tyre, të projekteve turistike, të sipërmarrjeve të shitjes me shumicë si grupi Wall Mart, si dhe hapjen e një dege të bankës për të financuar projektet ekzistuese dhe projektet e reja që ata do të prezantojnë.
Kryeministri Berisha nga ana e tij sugjeroi edhe parqet industriale dhe portet.
Ai i garantoi ata se qeveria e tij do t'i mbështesë thellësisht në zbatimin e këtyre projekteve, sipas ligjeve shqiptare dhe ndërkombëtare.
Përfaqësuesit e kompanive të mëdha kanadeze e siguruan Kryeministrin që do të kthehen shumë shpjet në Shqipëri me projektet përkatëse dhe specialistët për zbatimin e tyre.
k.k/NOA