English

MB: Aktualisht mbeten në evakuim 1023 persona dhe të përmbytura 83 shtëpi

Tiranë, 21 janar NOA - Ministria e Brendshme lëshoi një deklaratë për shtyp pasditen e sotme me anë të së cilës njoftoi se situata e emergjencës civile shkaktuar nga përmbytjet në disa zona të Qarkut të Shkodrës po njeh dita ditës përmirësim të vazhdueshëm.

"Sipërfaqja e tokës së përmbytur në bazë të raportimeve të kryetarëve të njësive vendore dhe Drejtorisë Rajonale të Bujqësisë është ngushtuar edhe me 1100 ha të tjerë, nga 4964 ha ditën e djeshme sot është 3864 ha.

Në evakuim mbeten ende 1023 persona nga 1643 ditën e djeshme. Sot kemi 83 shtëpi me prezencë uji nga 135 ditën e djeshme. Të rrethuara nga uji janë 456 shtëpi nga 486 shtëpi që rezultonin dje më datë 20.01.2010.

Aktualisht në të gjitha akset rrugore drejt komunave dhe fshatrave të prekura nga përmbytja mund të qarkullohet lirisht me të gjitha llojet e automjeteve.

Strukturat e Forcave të Armatosura në bashkëpunim me Bordet e Kullimit janë duke punuar për përforcimin e argjinaturave në Mushan, Shirq, Dajç, Samrisht i Ri, Samrisht i Vjetër dhe Rrushkull" deklaroi ministria e Brendshme. Sipas saj, punimet vijojnë gjithashtu për mbushjen e argjinaturës së Çasit, ndërkohë përfundoi sot puna për heqjen e urës së vjetër së Gjon Lulit dhe riparimet e nevojshme të urës së re, në aksin rrugor për në Velipojë

Situata shëndetësore paraqitet normale. Nuk ka rritje të sëmundshmërisë. Shërbimi shëndetësor ofrohet në të gjitha qendrat ambulatore. Vijon si çdo ditë procesi i dezinfektimit të sistemit të ujësjellës kanalizimeve.

Procesi mësimor vijon normalisht në të gjitha shkollat e zonave të prekura nga përmbytja. Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj inspektoi sot disa prej shkollave në këto zona për të verifikuar dëmet e shkaktuara nga përmbytja. Në të gjitha shkollat ofrohet shërbimi i psikologut për nxënësit.

Edhe sot në zonat e prekura nga përmbytja ka vijuar shpërndarja e ndihmave ushqimore dhe ushqimeve për bagëtinë në bazë të planit të miratuar nga Komiteti Ndërministror i Emergjencës Civile.

k.k/NOA

KOMENTE