English

Mos e nënçmoni Amerikën

Një vit pas hyrjes së Barack Obamës në Shtëpinë e Bardhë, në SHBA po mbretëron pesimizëm. Gazetat shkruajnë për "tkurrjen e superfuqisë" dhe diskutojnë për botën "post-amerikane". Pa dyshim se SHBA është në krizë. Por historia dëshmon: nevojiten ankesat, si një motor për fillim të ri

Nga Die Welt Amerika është zhytur në mjegullën e depresionit. Një vit pas ngazëllimit për shkak të fitores së Barack Obamës, ky vend, dikur i mbushur me shpresë, ka hedhur me brengë shikimin kah ardhmëria. "Superfuqia që po tkurret", ishte titulli i një artikulli në gazetën New York Times. Dhe përderisa publicisti Fareed Zakaria përshkruan në librin e tij "Botën Post-Amerikane", revista "Atlantic Monthly" tentoi që së paku të gjejë rrugëdalje nga lugina aktuale e lotëve. "Aktualisht jemi zhytur në një krizë të besimit. Është kjo krizë e cila po prek zemrën, shpirtin dhe frymën e vendit tonë. Ajo dëshmon për një rritje të dyshimit në veten", theksoi Presidenti, dhe u ankua për mungesë të vetëbesimit. "Besimi ka definuar ecjen tonë nëpër histori. Ne në vazhdimësi kemi besuar në përparim. Gjithmonë kemi qenë të bindur se fëmijët tanë do ta kenë një jetë më të mirë se ne. Tani jemi në rrugë e sipër që ta humbim këtë besim". Nuk mund të shpjegohet më mirë sa e pashpresë është gjendja. Edhe gjermanët janë të këtij mendimi. Disa prej tyre e vajtojnë këtë rënie të Amerikës. Të tjerët, shumica prej tyre, e përcjellin me kënaqësi këtë rënie, pa i shtruar vetes pyetjen se çfarë mund të pasojë. Që të dyja palët ndajnë të njëjtin qëndrim: se rrëzimi i gjigantit nuk mund të ndalet. Ky rrëzim do të vijë më siguri, siç do të vijë me siguri edhe forcimi i Kinës. Por, ngadalë. Nuk është ky citat i Barack Obamës, por deklaratë e Jimmy Carterit. Më 15 korrik të vitit 1979, presidenti i 39'të i SHBA-së doli para kamerave për t'ia treguar kombit të vërtetën për gjendjen ekonomike, politike dhe mentale të vendit. Ata që e lexojnë sot këtë deklaratë të Carterit, janë të habitur për faktin se sa e freskët duket ajo sot. Amerika është në krizë, pa asnjë dyshim. Por, njëjtë si edhe në vitin 1979, ajo gjithmonë arrin të dalë nga lugina e lotëve. Nevojiten ankesat, si një motor për fillim të ri. Që nga shoku i pësuar nga lançimi i Sputnikut në vitin 1957, shoqëria amerikane gjithmonë ka debatuar për humbjen e forcës dhe forcimin e fuqive kundërshtare, vetëm sa për t'u vendosur sërish në krye disa vjet më vonë. Gara kundër Bashkimit Sovjetik u pasua nga rivaliteti me Japoninë. A do të jetë Pekini në gjendje që të tejkalojë Uashingtonin? Nëse konsiderohet bumi ekonomik në Kinë, atëherë ky dyshim duket i arsyeshëm. Në listën e 20 universiteteve më të mira në botë nuk gjendet asnjë universitet kinez, por 17 universitete amerikane. Dhe përderisa me miliona njerëz ende tentojnë për çdo vit që të emigrojnë në SHBA, kinezët e rinj po largohen nga vendi i tyre në kërkim të punësimit. Nëse amerikanët dëshirojnë të hapin një kompani, atyre iu nevojiten zakonisht vetëm gjashtë ditë për ta bërë këtë, ndërsa në Kinë nevojiten 40 ditë. Në fushën e papunësisë, të vdekshmërisë së fëmijëve dhe të sëmundjes së tuberkulozit, Kina rreshtohet bindshëm para SHBA-së. Kinezët vdesin më herët se amerikanët, ndërsa edhe popullata po moshohet shumë më shpejt se ajo në SHBA. Amerika edhe në vitin 2050 do të mbetet e re, që është një parakusht për mobilitetin shpirtëror të shoqërisë. Po shtimi ekonomik? Është e vërtetë se shtimi ekonomik në Kinë, në nivel tetë për qind në vit, është tejet mbresëlënës. Megjithatë, Kina ka filluar ngritjen nga zeroja dhe për këtë arsye shtimi në këtë vend është më i shpejtë se në shtetet e zhvilluara.

KOMENTE