English

"Mysafiri" kap malazezin në Shkodër me 10 pistoleta

Shkodër, 21 Janar NOA - Një shtetas malazez është arrestuar pasditen e sotme në Shkodër, brenda qytetit, pasi u gjet me një sasi të madhe armësh zjarri dhe euro të falsifikuara, informon korrespondenti i NOA.

Drejtoria kundër Krimit të Organizuar në Departamentin e Hetimit të Krimit tha se e kreu në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Qarkut Shkodër, operacionin e koduar "Mysafiri".

"Në kuadër të operacionit, u bë i mundur arrestimi i shtetasit malazez Nazim Nasuf Ljikoviç, 32 vjeç, me banim në Krajë, Komuna e Tivarit në Malin e Zi", - i thanë agjencisë NOA burime zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit

Ky shtetas është kapur në flagrancë nga forcat e policisë gjatë kohës që udhëtonte me mjetin e tij tip Volksvagen Golf, me targë BR AJ 011, në brendësi të të cilit, nga kontrolli i ushtruar, iu gjetën e sekuestruan 10 armë zjarri pistoleta të tipit Ekol-Special 99, si dhe 2.100 euro false me prerje 50-she.

Operacioni që bëri të mundur arrestimin e këtij shtetasi është zhvilluar rreth orës 16.00' të ditës së sotme në qytetin e Shkodrës.

Policia tha se materialet në ngarkim të këtij shtetasi do t'i kalojnë Prokurorisë për Krimet e Rënda për veprën penale të trafikimit të armëve dhe municioneve luftarake, si dhe falsifikimit të monedhave.

r.d/e.l/NOA

KOMENTE