English

Ndryshimet që nuk i duhen askujt

Më shumë se një lëvizje e menduar politike, ndryshimet në Qeveri janë parë si një zgjidhje e shpejtë taktike. Ato nuk kanë të bëjnë me programet qeverisëse, me performancën e ministrave të caktuar dhe as me ekuilibra të rinj forcash në ekzekutiv. Ato janë thjesht një manovër për të kapërcyer situatën e krijuar pas fushatës së ashpër të LDKësë dhe për ta mbyllur pa shumë kokëçarje mandatin katërvjeçar

Nga Armand Shkullaku

Lëvizjet e mundshme në Qeverinë e Kosovës prej disa ditësh nuk janë më në krye të lajmeve politike. Për të ashtuquajturin riformatizim të kabinetit Thaçi, po flitet gjithnjë e më pak. Kjo temë aq e ndjeshme gjatë dhe menjëherë pas zgjedhjeve, tashmë ka kaluar në plan të dytë e të tretë. Ndoshta ajo mund të riaktualizohet përsëri pas raundit të tretë të zgjedhjeve vendore, por deri tani, veç kuriozitetit për emrat që do ikin dhe thashethemeve për emrat që do të vijnë, ndryshimet në Qeveri nuk prodhuan asgjë më shumë. Rëndësia e tyre nuk pati asnjë peshë specifike në jetën politike të Kosovës. Kjo për dy arsye kryesore. Së pari, këto ndryshime nuk u projektuan si domosdoshmëri apo strategji programore në një moment të caktuar të zhvillimit të vendit. Dhe së dyti, në thelb, ato nuk është se sjellin ndonjë kthesë pozitive tek forcat politike që bashkëqeverisin, përkundrazi, mund të prodhojnë jo pak telashe. Ndryshimet e paralajmëruara në Qeveri nuk ngjajnë fryt i ndonjë situate kulmore politike që kërkon si zgjidhje të vetme rishikim të ekuilibrave qeverisës. Ato nuk janë as rezultat i ndonjë analize apo bilanci dyvjeçar të punës së Qeverisë që çon pazgjidhshmërisht në vënien dorë mbi kabinetin ekzekutiv. Përkundrazi, vetë Kryeministri Hashim Thaçi deklaroi se rezultati i zgjedhjeve vendore për PDK-në ishte mesazh i qartë i mbështetjes që qytetarët i japin Qeverisë së Kosovës. Nëse një Qeveri arrin të ketë sukses elektoral, atëherë përse duhet ndryshuar? Nga ana tjetër, kreu i ekzekutivit në asnjë rast nuk ka bërë publike pakënaqësi apo bilance negative të vartëse të tij, por ka qenë i kënaqur me ta, madje edhe pas raport progresit të BE-së. Përse duhen ndërruar ministrat në një kontekst të tillë? Sigurisht që për punën e ministrave të veçantë, apo dhe vetë mënyrën e qeverisjes, ka plot vërejtje dhe pakënaqësi, por ndryshimet, nëse ndodhin, nuk mbështeten në to. Më shumë se një lëvizje e menduar politike, ndryshimet në Qeveri janë parë si një zgjidhje e shpejtë taktike. Ato nuk kanë të bëjnë me programet qeverisëse, me performancën e ministrave të caktuar dhe as me ekuilibra të rinj forcash në ekzekutiv. Ato janë thjesht një manovër për të kapërcyer situatën e krijuar pas fushatës së ashpër të LDK‘së dhe për ta mbyllur pa shumë kokëçarje mandatin katërvjeçar. Duke patur parasysh qëndrimet e ashpra të disa figurave kryesore të LDK-së në fushatë ndaj Qeverisë Thaçi (një Qeveri që "nuk do ta kishte jetën e gjatë"), duhej gjetur diçka për të përligjur vazhdimin e bashkëqeverisjes edhe për dy vjet të tjera me të.

Brenda LDK-së u shtuan zërat që daljen nga Qeveria po e zëvendësonin me ndryshim të raporteve brenda Qeverisë. Po kërkohej pra një hile, për të shpëtuar edhe moralin e fushatës, por edhe mbajtjen e privilegjeve.

Ndryshimet në Qeveri u panë si e vetmja mundësi për një strategji daljeje të LDK-së nga pozita opozitare ku ra gjatë fushatës. Duke vazhduar në filozofinë e saj - as pozitë as opozitë - LDK ka menduar se ndoshta me manovrën e ndryshimeve në Qeveri do ta shtyjë edhe këtë herë deri në zgjedhjet e ardhshme. Këto ndryshime pra, duke mos qenë pasojë e një procesi normal politik, ekonomik, strategjik apo zhvillimor të vendit, por një manovër taktike, nuk prodhuan atë debat të rëndësishëm që shoqëron kthesa të tilla. Pa asnjë ofertë të re programore të ofruar, diskutimi për to nisi dhe u shua tek emrat e ministrave. Por, debati për ndryshimet në Qeveri erdhi duke u shuar edhe për një arsye tjetër. Ndonëse në pamje të parë ato mund të duken si një varkë shpëtimi për LDK-në, në një periudhë të afërt do të shkaktonin jo pak telashe. Ministrat kandidatë për shkarkim nuk është se janë pa peshë brenda partisë. Po ashtu, numri i ministrive është i kufizuar për të kënaqur të gjitha ambiciet në LDK. Përkundër përpjekjeve të lidershipit të kësaj partie për ta harruar ashpërsinë e fushatës, zërat për dalje nga Qeveria mund të shtohen dhe forcohen pas ndryshimeve të paralajmëruara. Ky pozicion delikat, që rrezikon ta shthurë vathën e Fatmir Sejdiut, mbase ka bërë që tema e ndryshimeve, hë për hë të lihet në heshtje. LDK, si zakonisht, do t'i lërë gjërat të rrjedhin vetë. Edhe Hashim Thaçit ndryshimet nuk është se ia lehtësojnë punën deri në fund të mandatit, apo i zgjidhin ndonjë ngërç brenda Qeverisë. I vetmi motiv mbetet përligjja e qëndrimit të mëtejshëm të LDK-së në Qeveri dhe përfundimi në kohë i mandatit qeveritar. Nëse partneri problematik heziton, edhe lideri i PDK-së nuk ka ndonjë motiv të nxitojë. Ndryshimet në Qeveri nuk zgjuan interes të fortë edhe tek opozita. Ajo i pa ato si manovër të Kryeministrit dhe jo si ndonjë platformë apo strategji të re programore mbi të cilën të ngrinte debatin politik. Për opozitën, e vetmja alternativë në kushtet aktuale politike mbeten zgjedhjet e parakohshme. Në këto rrethana, kur ndryshimet në Qeveri nuk janë rrjedhojë e zhvillimeve normale politike dhe kur në thelb nuk i interesojnë askujt, debati për to nuk zgjon interes kombëtar. Edhe nëse ndodhin, do të jetë për shkak se u deklaruan dhe jo se do të sjellin ndonjë ndryshim në qeverisjen e vendit.

KOMENTE