Prishtinë, 21 janar, NOA - Zyrtarë të institucioneve të Kosovës i kanë thënë BBC-së se vizita e të dërguarit të Këshillit të Evropës, Dick Marty në Prishtinë nuk kishte për qëllim të hetonte pretendimet serbe për trafikim të organeve të serbëve nga pjesëtarët e ish-UÇK-së gjatë luftës në zonën kufitare me Shqipërinë. Ministrja e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi dhe drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, Arsim Gërxhaliu thanë se gjatë takimeve që patën me Marty, ai është interesuar për punën që po bëhet për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur. Vizita e senatorit zvicran, Dick Marty në Kosovë bëhet pas asaj të vitit të kaluar në Serbi dhe në Shqipëri, në kuadër të hetimeve të Këshillit të Evropës për akuzat që u ngritën nga ish-kryeprokuroja e Gjykatës së Hagës, Carla del Ponte, në librin e saj "Gjuetia" për siç thuhet "krime ndaj civilëve serbë nga pjesëtarë të ish-UÇK-së në një fshat të Burrelit në Shqipëri". Autoritetet në Prishtinë dhe në Tiranë kanë hedhur poshtë akuzat për krime lufte në zonën kufitare Kosovë-Shqipëri, ndërsa Beogradi ka thënë se posedon prova për disa raste dhe ka këmbëngulur në hetime të mëtejme. Hetuesit e Gjykatës së Hagës më parë nuk kishin arritur të dëshmonin aludimet për krime eventuale në këtë rajon.
Zonja ministre për çfarë keni biseduar në takim me zotin Marty?
- Në fakt ai (Dick Marty) fillimisht tha ‘Nuk kam ardhur për të hetuar asgjë, por kam ardhur thjesht të bisedojmë se si t'ia dalim me zbardhjen e fatit të personave të pagjetur dhe të bashkëpunojmë në këtë drejtim me të gjitha institucionet ndërkombëtare dhe me vendet e rajonit në mënyrë që të kenë sadisfaksion familjet e të pagjeturve'.
Kjo është krejt çka kemi biseduar dhe unë e kam informuar se ne po punojmë në këtë drejtim, ministria ka Departamentin e Mjekësisë Ligjore, ka Zyrën për Persona të Pagjetur, bashkëpunojmë me të gjitha organizatat vendore këtu që janë dhe planifikojmë në mars të mbajmë edhe një konferencë ndërkombëtare për personat e pagjetur.
E dimë se Dick Marty është emëruar nga Këshilli i Evropës për të hetuar edhe pretendimet serbe për krime lufte në Kosovë, përkatësisht në zonën kufitare me Shqipërinë. A është përmendur kjo gjatë takimit që keni pasur me të?
- Me përgjegjësi morale dhe materiale ju them se ai këtë çështje fare nuk e ka ngritur në biseda, prandaj edhe në fjalën e tij e ka filluar 'nuk kam ardhur për qëllime hetimore', as emrin s'ia ka përmendur, vetëm ka thënë nuk kam ardhur për qëllime hetimore apo hetuese.
Dhe në fakt, çfarë roli mund të luajë Këshilli i Evropës?
- Unë nuk e di nëse është ndërruar agjenda apo mandati i tij. Këtë nuk e di, e dinë ata që e kanë emëruar, por me mua për këtë çështje as që ka biseduar.
Çfarë ju ka premtuar zoti Marty, cilat janë pritjet e tuaja pas kësaj vizite të tij?
- Që ta sensibilizojë çështjen e personave të pagjetur dhe do të ndihmojë në çfarëdo pikëpamje në zbardhjen e fatit të të zhdukurve.
BBC