Tiranë, 21 janar NOA - Partia Demokristiane ka lëshuar sot një deklaratë për shtyp me anë të së cilës ka shprehur shqetësimin e saj për krizën politike që ka mbërthyer vendin që pas zgjedhjeve sipas saj të manipuluara të 28 qershorit dhe ka denoncuar edhe njëherë përpjekjet e maxhorancës qeverisëse për të fshehur krizën politike dhe për të penguar zbardhjen e së vërtetës së zgjedhjeve.
"Ndërkombëtarizimi i krizës politike dhe institucionale që ka përfshirë vendin dhe evidentimi i krizës në raportin e reporterëve të Këshillit të Evropës dhe në projektrezolutën e Komitetit të Monitorimit që pritet të miratohet në ditët e ardhshme, është një kambanë alarmi për partitë politike shqiptare, Presidentin e Republikës dhe në veçanti për maxhorancën qeverisëse, e cila kërkoi ta fshihte të vërtetën e zgjedhjeve pas vendimeve politike dhe të njëanshme të gjykatës zgjedhore.
Zgjidhja e krizës politike dhe institucionale është obligim madhor i faktorit relevant politik shqiptar, ndaj PDK kërkon fillimin e menjëhershëm të dialogut politik që do të mundësojë hetimin e zgjedhjeve dhe zbardhjen e të vërtetës për zgjedhjet e 28 qershorit" thuhej në deklaratën e PDK-së.
"PDK gjykon se hetimi i zgjedhjeve dhe hapja e kutive të votimit, në qarqet e kontestuara nga opozita është e vetmja rrugë që çon në zgjidhjen e krizës politike, kthimin e normalitetit në vend, por edhe garanci për mbylljen e ciklit të turpshëm të manipulimit të zgjedhjeve që kanë përçudnuar demokracinë në këto 20 vite të tranzicionit politik.
Shqipëria si vend anëtar i NATO-s dhe si vend që aspiron për t'u integruar në Bashkimin Europian, është momenti të dëshmojë pjekurinë e saj politike dhe potencialet e saj demokratike, duke zgjidhur me dialog dhe konsensus krizën e krijuar nga vjedhja e votës në zgjedhjet e 28 qershorit" përfundon deklaratën e saj PDK.
k.k/NOA