English

Rebeka Pano: Panajoti vdiq me ëndrrën e tij për futbollin

Intervistoi: Beqir Sina- Florida/ Rebeka Pano, bashkëshortja e legjendës së futbollit shqiptar Panajot Pano flet ekskluzivisht për agjencinë e lajmeve INA për ndarjen e dhimbshme dhe vitet jetës me legjendën e futbollit shqiptar.

Jeni larg Shqipërisë dhe tani keni një dhembje të madhe. Si u bë që të vinit këtu bashkë në SHBA dhe të përjetoni këtu ndarjen e tij nga jeta?

- Pano, erdhi në Florida, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në shtator 2005 pasi fitoi statusin e bashkimit familjar me të bijën, pra vajzën tonë e cila është e martuar dhe jeton këtu në Florida. Çka do të thotë se gjatë gjithë kësaj periudhe derisa ai vdiq, pati ardhur e shkuar disa herë ne relacionin Tiranë - Florida e anasjelltas. Kishte një dashuri të veçantë për këtë vend megjithëse zemrën gjithnjë e kishte në Shqipëri.

Si e përjetuat këtë goditje, duke ndjerë tani mungesën e tij?

- Me thënë të vërtetën para më shumë se 11 viteve, Panajoti është operuar në një spital të Greqisë, nga një sëmundje në zemër, e cila nëse shprehem mirë quhet "Aorta Dominale". Është operuar atje më ndihmën e shtetit shqiptar. Dhe me thënë të drejtën ka pas një shëndet të plotë edhe pa probleme pas kësaj ndërhyrje kirurgjikale në zemër. Duhet theksuar si në Shqipëri dhe kur dilte jashtë shtetit ishte gjithmonë nën kujdesin e mjekëve dhe merrte mjekime, por pa probleme të tilla shëndetësore. Aq sa ne dhe ai vetë kurrë nuk e mendonim se do të ishte kaq e shkurtër jeta e tij. Deri duke filluar nga dita e shtunë, kur fare papritmas ai u nda nga jeta pas dy goditjeve të papritura në zemër. Megjithatë kujdesin dhe ndërhyrjen e mjekëve amerikan, dhe trajtimi në spital për t'u faleminderuar, nuk pati sukses.

Si u prit vdekja e tij në komunitetin shqiptar në Florida?

- Oh! jemi jashtëzakonisht të befasuar dhe nuk jemi në gjendje ende ta shpjegojmë sesa shumë njerëz ka pasur. Më është dukur vetja sikur të ishin në Tiranë. Asnjëherë nuk e kemi menduar se ka shumë shqiptarë në këtë vend, dhe prania e tyre e respekti për Panajotin, na e ka lehtësuar sadopak dhimbjen e madhe që na ka kapluar këto ditë - Ju faleminderit të gjithëve! Jam çuditur se vinin edhe prindër me fëmijët e tyre të cilët në shenjë respekti u kishin veshur fëmijëve të tyre ndonjë fanellë sportive të kombëtares shqiptare, me ngjyrat kuq e zi, momente shumë prekëse !

Nga ky rast përfitojë nga kjo bisedë me ju të falenderojë edhe ju e të gjitha mjetet e shtypit, në SHBA-ës dhe në Shqipëri, Kosovë, e kudo në viset shqiptare, për vlerësimin që i kanë bërë Panajot Panos dhe pasqyrimin e kësaj humbje të madhe , për ne dhe futbollin shqiptarë që ai donte aq shumë.

Zonjë nëse ke pak durim në këto momente mjaft prekëse dhe emocionale, a mund të përshkruani pak jetën e tij këto vitet e fundit?

- (Qan) Shumë prekëse kjo pyetje se tashti po e ndjej me gjithë mend se po ndahemi prej tij një ndarje kjo e përjetshme që nuk doja ta besoja kurrë ! ........ Kemi kaluar një jetë të tërë bashkë me gëzimet e hidhërimet që ka vetë jeta. Vetëm se marrë kurajë të flasë pak, pasi të paktën ai deri sa mbylli sytë pati gjithë të mirat e jetës. Ka dashurinë, respektin dhe adhurimin e një populli të tërë që e ka dashur dhe e kanë dashur aq shumë. Panajot Pano ka marrë nga të gjithë qytetarët e Shqipërisë dhe mbarë kombi shqiptar, nga institucionet më të larta të vendit dhe të organizmave kryesorë të sportit ndërkombëtar, vlerësimet më të mëdha dhe më të merituara.

Saqë që arritën t'i japin edhe titullin më lart "Nderi i Kombit" nga Presidenti i Republikës Bamir Topi. Më parë se ai të vdiste mori edhe një vlerësim të lart ndërkombëtar si një ndër 50 futbollistët më të mirë të Evropës, gjatë gjithë kohërave. Pano mori aq shumë vlerësime sa as kush nga futbollistët shqiptarë. Gjithë ajo lojë e bukur që bëri ai ndër vite për Shqipërinë e futbollin shqiptarë janë shpërblyer gjithmonë nga populli dhe institucionet shqiptare.

"Nderi i Kombit", që akordoi vitin e kaluar Presidenti Bamir Topi e emocionoi shumë Panajotin. Ai dha asokohe një mesazh nga thellësia e shpirtit të tij, teksa tha: "Më mirë të luaja një ndeshje ndërkombëtare, se sa të vija këtu", dhe i mbytur në emocione, në ato pak fjalë që tha, nuk la pa përmendur ndihmën që kanë dhënë shokët e ekipit në sukseset e tij. Titullin më të lartë të Shqipërisë, "Nderi i Kombit", ai e quante se është më shumë se një milion dollarë! Panajot Pano është tashmë edhe zyrtarisht "Nderi i Kombit Shqiptar".

A keni përshtypjen se ai vdiq me "ëndrrën e Futbollit"?

- Oh sa e donte futbollin, sa ishte i lindur për futbollin. Pa llogaritur sesi ai vepronte në Tiranë, por më duhet të them se sapo erdhi në Amerikë, menjëherë vendosi të gjitha kanalet shqiptare të sportit, dhe nëpërmjet internetit ndiqte të gjitha lajmet sportive nga Shqipëria.

E "ndiqte" shumë me zemër futbollin e sotëm shqiptar. Ai vazhdimisht ishte kritik ndaj tij kur ky futboll nuk arrinte rezultate të mira dhe gëzohej shumë rezultateve të mira të kombëtares shqiptare dhe klubeve tona në arenën ndërkombëtare. S'kishte ditë, do të theksoja që nuk e shqetësonte për vendin e tij. Ai i ndiqte me shumë vëmendje zhvillimet në Shqipëri aq sa dhe kishte shprehur këto ditë edhe shqetësimin e tij për përmbytjet që ndodhën në Shkodër. Aq sa ishte futbollist mirë ishte edhe atdhetar i mirë.

Çfarë keni planifikuar për ceremoninë e varrimit?

- Këtu do t'i bëjmë të gjitha nderimet e fundit - duke e vendosur qysh sot, arkivolin me trupin e tij në një shtëpi mortore dhe hapur këtë funeral për të gjithë ata që dëshirojnë t'i japin lamtumirën e fundit Panajot Panos. Dy flamujt kombëtar ai Amerikan dhe ai Shqiptarë, do të jenë vendosur në shtëpinë mortore, kurora dhe buqeta me lule të freskëta nga bashkatdhetarët tanë këtu do të rrethojnë arkivolin . Një portret ti tij me një uniformë të kombëtares shqiptare me një fanellë të kuq-e zi, me numrin 10 -të do të vendosin pranë arkivolit me trupin e tij.

Dhe njëkohësisht, pasi kemi marrë njoftimin e ndihmës që ka ofruar qeveria shqiptare dhe autoritete e Shqipërisë jemi duke kryer procedurën e zakonshme për dërgimin e arkivolit me trupin e tij në Shqipëri, ku siç mësuam sot, Kryeministri i vendit Berisha, ditën e varrimit të tij e ka shpallur "Ditë Zie". Shteti shqiptar ka marrë përsipër çdo gjë për organizmin e ceremonisë mortore e cila nga fund java do të zhvillohet në Tiranë.

NOA-INA

KOMENTE