Porto Prince, 21 janar, NOA - Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të dërgojnë edhe 4 mijë trupa shtesë në Haiti, të cilat në fakt ishin të planifikuar për vendosjen e tyre në rajonet e Evropës dhe Lindjes së Mesme.
Bëhet me dijeni se këta ushtarë do të ndihmojnë në përpjekjet për t'i ndihmuar banorët e Haitit, me ushqim, ujë dhe kujdes mjekësor, pas tërmetit shkatërrues të javës së kaluar.
Dislokimi i ri do ta çojë numrin e forcave amerikane në Haiti në gati 14 mijë trupa.
Nga ana e tij, presidenti Barak Obama gjatë një interviste dje tha se Shtetet e Bashkuara nuk mund të injorojnë gjendjen në Haiti.
Por ai shtoi se Shtetet e Bashkuara nuk kërkojnë që përpjekjet e tyre të shpëtimit të duken sikur po marrin nën kontroll vendin e Karaibeve.
Sipas tij, Amerika e shfaq forcën e saj në botë, jo vetëm kur është në luftë.
Ndërsa sekretarja amerikane e Shtetit Hillari Klinton u tha gazetarëve në Departamentin e Shtetit se zyrtarët po e monitorojnë nga afër impaktin e tërmetit të dytë që shkatërroi një skelë që do të përdorej për të trajtuar pacientët.
n.e/NOA