English

Shoqata e Siguruesve, 6 kërkesa për Tatimet

Tiranë, 21 janar NOA - Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë, si përfaqësuese e industrisë shqiptare të sigurimeve - zhvilloi një takim me përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve të kryesuar nga Drejtori i Përgjithshëm, Artur Papajani ku u parashtruan 6 kërkesa që synojnë nxitjen e sigurimit të bizneseve.

Takimi synonte ngritjen dhe formësimin e një bashkëpunimi sa më eficent dhe të bazuar në një vullnet të mirë institucional, më qëllim thellimin e njohjes dhe të rolit të kësaj industrie ku institucionet vendimmarrëse dhe ligjzbatuese të krijojnë një klimë të favorshme për zhvillimin e kësaj industrie.

Shoqata e Siguruesve informoi z. Papajani me stadin e zhvillimit të industrisë së sigurimeve në Shqipëri dhe specifikave që mbart kjo industri si një nga tri shtyllat promotore të zhvillimit ekonomik - social të shoqërisë dhe shtetit shqiptar.

Gjithashtu, industria e sigurimeve i bëri prezent z. Papajani edhe disa nga problematikat me të cilat ndeshet aktiviteti i kësaj industrie.

Industria e sigurimeve në Shqipëri, është një industri e re dhe si e tillë ajo kërkon domosdoshmërisht mbështetje dhe iniciativa, politika orientuese dhe harmonizim legjislativ në përafrimin e impaktit të saj drejt standardeve rajonale, evropiane dhe me gjerë.

Roli i saj i padiskutueshëm dhe i pranuar nga organizmat publikë e shtetëror, në zhvillimin e ekonomisë dhe mbështetjes së sistemit financiar në tërësi, janë arsye të qenësishme për të krijuar një klimë reale zhvillimi dhe mirëkuptimi institucional ndaj sfidave të zhvillimit të kësaj industrie.

Tregu shqiptar i sigurimeve është gjithashtu një nga tregjet më të konsoliduara në rajon përsa i përket luftës ndaj informalitetit duke krijuar premisë të pakundërshtueshme për hapësira dhe lehtësira zhvillimi të mëtejshëm:

• 80% e produkteve të sigurimit shiten online që nga viti 2006. Kjo nismë është gjeneruar dhe investuar nga vetë industria.

• Të gjitha produktet e sigurimit që ofrohen aktualisht janë të miratuara dhe të kontrolluara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, institucion tek i cili raportohet online për shitjet e produkteve motorike të detyrueshme dhe në mënyrë periodike për produktet e tjera.

• Të gjitha transaksionet e aktivitetit të sigurimeve kryhen nëpërmjet bankave të nivelit të dytë.

• Tregu i sigurimeve ka adaptuar në veprimtarinë e tij, standardet ndërkombëtare të kontabilitetit.

• Tregu i sigurimeve auditohet nga kompani audituese ndërkombëtare.

• Tregu i Sigurimeve dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare kanë ngritur edhe regjistrin elektronik të dëmeve për sigurimet e detyrueshme.

• Kontratat e sigurimit të detyrueshëm janë miratuar dhe njihen si fatura tatimore.

Në këtë situatë transparence maksimale të zhvillimit të aktivitetit të tyre, industria e sigurimeve i bëri prezent z. Papajani edhe disa nga problematikat me të cilat ndeshet aktiviteti i saj dhe kërkoi:

• Përjashtimin e kompanive të sigurimeve nga detyrimi për tu pajisur me kasa fiskale, si institucione financiare që ofrojnë shërbim vetëm nëpërmjet rrjetit bankar,

• njohjen si shpenzim të zbritshëm të komisioneve bankare që kompanitë e sigurimit i paguajnë bankave për arkëtimin e primit të sigurimit,

• kreditimin e TVSH-së për shpenzimet e industrisë për automjetet, duke i kategorizuar ato si mjete themelore në ushtrimin normal të aktivitetit të tyre.

• Njohjen si shpenzim të zbritshëm të shpenzimeve të sigurimit të jetës apo të shëndetit të punëmarrësve.

• Mosaplikimin e TVSH-së mbi komisionin e shitjeve të produkteve të sigurimit të jetës,

produkte të cilat janë të përjashtuara nga TVSH.

• Konsiderimin gjatë kontrolleve të ushtruara nga tatimet, të detyrimit ligjor për tu siguruar të klasave të veçanta të biznesit të përcaktuara me ligj apo akte nënligjore.

***

Z. Papajani, në fjalën e tij e cilësoi industrinë e sigurimeve si një nga kontributorët më të mëdhenj e dinjitozë në sistemin e të ardhurave fiskale dhe së bashku me stafin që e shoqëronte u angazhuan për një trajtim korrekt e eficent të problematikës së pozuar nga industria e sigurimeve.

Gjithashtu palët në takim, pasi e vlerësuan maksimalisht qëllimin dhe rëndësinë e këtij takimi u angazhuan reciprokisht të investohen për konsolidimin e një klimë bashkëpunuese dhe vullneti të mirë për të realizuar më së miri objektivat e institucioneve që përfaqësojnë.

e.r/NOA

KOMENTE