Tiranë, 21 janar NOA - Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili dhe ministri i Punës Spiro Ksera, kanë raportuar sot në komisionin kuvendor të Shëndetësisë për situatën epidemiologjike dhe shërbimet sociale në ndihmë të banorëve të zonave të përmbytura.
Në raportimin e tij para deputetëve të maxhorancës, Vasili theksoi se një prej shkaktarëve të shpërthimit të epidemisë, uji i pijshëm, është monitoruar ccdo ditë dhe nga të dhënat ai është i konsumueshëm.
"Nga puna e specialistëve të shëndetit publik në terren, kemi ulur në maksimum rrezikun e shpërthimit të ndonjë epidemie të mundshme si pasojë e situatës që u krijua pas ikjes së ujërave nga zonat e përmbytura. Aktualisht mund të themi se nga monitorimi i ujësjellësave dy herë në ditë kemi rekomanduar konsumimin e ujit të pijshëm pasi për ne ai është i parrezikshëm për shëndetin e popullatës.
Ne kemi hartuar një plan emergjence për rehabilitimin higjieno-sanitar të zonave dhe pas miratimit të tij në Komitetin Ndërministror, kemi lënë porosi tek strukturat lokale të qarkut të Shkodrës për zbatimin e tij në terren", tha ministri Vasili.
Ministri i Punës Spiro Ksera raportoi mbi punën e specialistëve të tij në terren në ndihmë të banorëve të zonave të përmbytura.
Sipas Kserës, grupet e punës kanë evidentuar kategoritë në nevojë të cilat kërkojnë shërbime sociale.
"Vetëm në komunat e përmbytura u është ofruar shërbim social 153 personave me aftësi të kufizuar, 62 jetimëve dhe 24 gra kryefamiljare. Kemi urdhëruar zyrat tona rajonale të shërbimit social në qarkun e Shkodrës që të fusin në skemën e ndihmës ekonomike të gjitha familjet që u prekën nga fatkeqësia", tha Ksera.
Sipas tij, aktualisht në zonën e Nënshkodrës përfitojnë ndihmë ekonomike rreth 6600 familje, ndërsa në gjithë Shkodrën ky numër shkon në 16 mijë familje.
Ksera theksoi se përveç kësaj, grupet e punës kanë evidentuar dhe numrin e familjeve pritëse që kanë akomoduar familjet e përmbytura. Dhe për to janë akorduar ndihma.
Nga të dhënat e dy ministrave, situata në qytetin e Shkodrës është në kontroll përsa i takon sëmundjeshmërise dhe ofrimit të shërbimeve sociale.
Por ata theksuan se duhet një koordinim i punës me institucionet për të rehabilituar sa më parë zonat nga fatkeqësia që u shkaktoi vërshimi i ujërave të hidrocentraleve.
b.m/NOA