Tiranë, 22 janar NOA - Bllokohet teleferiku në malin e Dajtit duke lënë në pritje disa qytetarë prej dy orësh. Shkak dyshohet të jetë mungesa e energjisë elektrike apo tensioni i ulët gjë e cila ende nuk është konfirmuar.
Ngjarja ka ndodhur pasditen e sotme, kur një kabinat e teleferikut ishin nisur nga Dajti për të transportuar në zbritje qytetarët, por papritur ato kanë ndaluar ecjen.
Një qytetare bëri të ditur se ndodhej në kabinën e sapo nisur bashkë me pesë persona të tjerë kur ecja ka ndaluar.
Ajo ka parë edhe dy kabina të tjera para saj të cilat ndodheshin shumë larg bazës së nisjes në pamundësi për të zbritur ndryshe nga kabina e sapo nisur kur personat kanë dalë nga kabina.
Sipas qytetares janë tre kabina që ndodhen në ajër me persona të cilët nuk mund të lëvizin.
Ndërkohë në pritje për të zbritur janë rreth 50 persona të cilët presin të zbresin pjesa dërrmuese gjimnazistë.
Por ndryshe nga qytetarja që dha alarmin, drejtuesi i teleferikut, Durim Hakranaj ka deklaruar se është thjesht një defekt dhe se qytetarët nuk janë në kabina por ndodhen në pritje.
Ai ka mohuar se në kabina ndodhen njerëz duke thënë se ato janë bosh dhe se në bazë ndodhen vetëm 29 persona të cilët janë në kushte komode.
Sipas drejtuesit të teleferikut është djegur një siguresë për shkak të një rrufeje dhe po punohet për riparimin e defektit.
Durim Hakranaj deklaroi se personat dëshirojnë vetë të zbresin me teleferik duke pritur riparimin e defektit pasi "dajti ecpres" u ka vënë në dispozicion furgonë për të zbritur nga Dajti.
k.k/NOA