Tiranë, 22 janar NOA - Ekstradohet nga Greqia një 23-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar për vjedhje me armë.
Saimir Sulaj, 23-vjeç nga Fieri është ekstraduar sot nga Athina e Greqisë pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, më datë 24 prill të vitit 2008, e ka dënuar atë me 15 vjet burgim, për kryerjen e veprës penale të "Vjedhjes me armë".
Ngjarja për të cilën është shpallur fajtor 23-vjeçari ka ndodhur më datë 17 shtator të vitit 2006, rreth orës 19:00, në aksin rrugor Mallakastër-Tepelenë, në afërsi të fshatit Fratar, kur ai i armatosur ka ndaluar disa automjete dhe përmes kanosjes u ka grabitur drejtuesve të mjeteve dhe pasagjerëve të tyre shuma të konsiderueshme parash dhe telefonat celularë. i riu u identifikua dhe u shpall në kërkim nga policia ndërsa kishte arritur tu shpëtonte prangave pasi ishte larguar drejt shtetit helen.
I kërkuari u kap në gusht të vitit të kaluar nga policia greke me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë gjë e cila u bë e mundur ditën e sotme.
k.k/NOA