Mitrovicë, 22 janar NOA - Policia e Kosovës ka arrestuar në veri të Mitrovicës dy të rinj, të përkatësisë etnike serbe, të dyshuar për përfshirje në disa raste të "shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm".
Gjatë bastisjes së shtëpive të tyre ka zbuluar sasi të konsiderueshme të eksplozivit dhe armatimit tjetër. Hetuesit policorë të skuadrës rajonale për hetime të krimeve serioze, fillimisht kanë zbatuar një urdhër të Prokurorisë së Qarkut në Mitrovicë për kontroll të shtëpisë së të dyshuarit Nikoliq I. (1986) në veri të Mitrovicës, njofton Besim Hoti, zëdhënës i policisë në Mitrovicë. "I dyshuari është takuar në shtëpinë e tij ndërsa i njëjti është arrestuar pa ndonjë incident nga policia. Gjatë zbatimit të urdhër kontrollit, policia ka identifikuar dhe sekuestruar si pjesë të provave materiale një sasi të konsideruar të masës eksploduese të eksplozivit plastik dhe detonatorëve të këtij lloji të eksplozivit". Gjatë kësaj bastisjeje, policia ka sekuestruar, më shumë se 5 kg eksploziv plastik, 48 detonatorë dhe 41 copë kondomë, të cilët besohet se janë përdorur për mbushje me masë plasëse të eksplozivit plastik. Ndërsa në një shtëpi tjetër private të 27-vjeçarit Mihajloviq J. në fshatin Mosinica të Leposaviqit, janë zbuluar, një armë automatike AK -47, prodhim jugosllav, 4 karikatorë me nga 30 copë fishekë (gjithsej 120 copë) të kalibrit 7.62mm,19 paketime me fishek (gjithsej 280 copë) të kalibrit 7.62mm, një thikë të armës (bajonetë) së bashku me këllëf; - Dy rrethatore me së bashku 18 copë fishek të kalibrit 7.62 mm, 45 detonatorë të eksplozivit dhe pajisje shtesë për pastrimin dhe mirëmbajtjen e armëve. Dyshohet se dy të dyshuarit e arrestuar, janë të përfshirë në bashkëveprim të së paku tri rasteve të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm në veri të Mitrovicës, përkatësisht në lagjen Kodra e Minatorëve dhe në rrugën "Ivo Llolle Ribara" në veri të Mitrovicës, të raportuara të ndodhura në datën 24 dhe 25 dhjetor 2009, si dhe me datë 5 janar 2010. Ndaj dy të dyshuarve është caktuar ndalimi policor prej 48-orësh, ndërsa prokurori publik ka autorizuar hetuesit rajonal të policisë të zhvillojnë hetimet e mëtejme të rastit.
INA/NOA