Shkodër, 22 janar, NOA - Do të mjaftonte një sherr mes dy vëllezërve për të krijuar një tragjedi me një të vdekur dhe një të plagosur rëndë, e cila tronditi qytetin e Shkodrës paraditen e sotme.
Lajmi konfirmohet për agjencinë e Lajmeve NOA nga burimet policore të Shkodrës, sipas të cilave ngjarja në fjalë ka ndodhur në lagjen "Qemal Stafa", pikërisht në vendin e quajtur Ura Dervishbeg.
Autori i saj ka qenë 53-vjeçari Mustafa Hebovija, i cili pas një konflikti me vëllanë e tij 50-vjeçar, me inicialet M.F e ka goditur me thikë këtë të fundit duke i shkaktuar plagosjen.
Por duket se ngjarja nuk do mbyllej me kaq, pasi Mustafai do të hidhej paskëtaj nga kati i tetë i pallatit, duke gjetur menjëherë vdekjen pas këtij akti.
Grupi hetimor i cili ka mbërritur menjëherë në vendngjarje, nga veprimet paraprake të kryera ka konstatuar se gjithçka ka ndodhur për shkak të sherrit të plasur mes dy vëllezërve, ndërsa po vijojnë hetimet e mëtejshme për të zbardhur plotësisht ngjarjen e rëndë.
Ndërkaq, vëllai i plagosur me thikë mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe aktualisht është i shtruar në spitalin rajonal të Shkodrës, ku po merr mjekimin e duhur.
n.e/NOA