English

Pretendon se nuk ka vrarë askënd, i dënuari 22-vjeçar qep gojën me gjilpërë

Fushë- Krujë, 22 janar NOA - Prej kohësh pretendonte se ishte dënuar padrejtësisht për një vrasje që sipas tij nuk e kishte kryer, por vazhdonte të qëndronte në burg.

Vetëmbrojtja me fjalë nuk i ka shërbyer 22-vjeçarit Fatmir Ahmetaj i cili qëndron prej disa kohësh në burgun e Fushë-Krujës, ndaj dhe kishte nisur një grevë urie prej rreth një jave.

Por edhe greva e urisë nuk e ka "nxjerrë" nga burgu 22-vjeçarin i cili është dënuar me 22 vjet heqje liri për vrasje.

Kështu i burgosuri ka gjetur një tjetër mënyrë të padëgjuar deri më sot në burgjet shqiptare, për të protestuar.

E ndërsa thirrjeve të tij për pafajësi nuk i përgjigjej askush, 22-vjeçari ka nisur të qepë gojë.

Ditën e sotme, i burgosuri ka gjetur një gjilpërë dhe me të ka qepur gojën e tij.

I gjakosur në fytyrë ai është vënë re nga gardianët e burgut të cilët dhanë menjëherë alarmin.

I riu u transportua menjëherë në burgun e spitalit për të marrë mjekimet e para.

Burime nga burgu thonë se 22-vjeçari pretendon se është i pafajshëm dhe nuk ka reshtur së treguari me gjithfarë formash, deri në rastin ekstrem atë të qepjes së gojës që kreu ditën e sotme.

Nuk dihet çdo të ndodhë më tej më të riun por aktualisht mësohet se ai ndodhet në spitalin e burgut nën kujdesin e mjekëve të cilët deklaruan se i dënuari ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

k.k/NOA

KOMENTE