Shkup, 22 janar, NOA - Mostërheqja e VMRO-DPMNE nga projektet e saj për aplikimin e gjuhës maqedonase për filloristët shqiptarë si dhe përgatitjet për vendosjen e busteve në sheshin e Shkupit kanë detyruar që kreu i BDI-së, Ali Ahmeti të zhvillojë takimin e radhës me partnerin e koalicionit, Nikolla Gruevski. Takimi i zhvilluar të mërkurën në mbrëmje dhe që ka zgjatur për disa orë, ka pasur në agjendë gjitha pakënaqësitë dhe vërejtjet e Ahmetit drejtuar partnerit të tij të koalicionit, ku nuk ka munguar edhe shqyrtimi i rasteve të Hagës, të cilat po vazhdojnë të mbajnë pezull ish-pjesëtarët e UÇK-së.
Një zyrtar i BDI-së ka theksuar për agjencinë e lajmeve INA se takimi ka pasur për qëllim ti shtrojë të gjitha çështjet e hapura dhe pakënaqësitë që janë grumbulluar. "Sigurisht që ne kemi vijën tonë të kuqe dhe asesi nuk do të bëjmë më lëshime ndaj vendimeve që dëmtojnë interesat shqiptare dhe që provokojnë situata dhe tensione të reja", ka theksuar zyrtari i BDI-së.
Një nga opsionet që po shqyrtohen nga "integristët" është edhe mundësia që të braktiset koalicioni, mirëpo kjo të bëhet para VMRO-DPMNE-së.
Takimi midis Ali Ahmetit dhe Nikolla Gruevskit ka pasuar pas takimit të kreut të BDI-së me ambasadorin amerikan Filip Riker, ku në qendër të vëmendjes ka qenë situata aktuale dhe shqetësimet e partisë shqiptare në pushtet lidhur me partneritet jokorrekt me maxhorancën maqedonase.
NOA-INA