English

TKOB nis vitin me "Projektin për të rinjtë dhe të vegjlit"

Tiranë, 22 janar NOA - Sezoni në TKOB ka nisur me projektin"Opera për të rinjtë dhe të vegjlit 2010", falë një bashkëpunimi mes TKOB-së, Drejtorisë së Arsimit, nën patronazhin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Drejtuesit e këtij institucioni po tentojnë të afrojnë muzikën klasike, operën dhe baletin drejt grupmoshave 10-17 vjeçare.

Një publik ky i munguar për vetë specifikën e shfaqjeve skenike operistike dhe muzikore. Prej disa vitesh është ngritur ky shqetësim nga artistë dhe studiues të ndryshëm të artit klasik, një fenomen, tashmë, jo vetëm shqiptar. Për këtë qëllim duke filluar prej datës 16 janar e në vazhdim në këtë skenë janë paraqitur për publikun e ri, një sërë shfaqjesh koncertore dhe skenike të gjinive të ndryshme.

Realizuar për nxënës shkollash projekti "Opera për të rinjtë dhe të vegjlit" vjen me qëllim edukimin e shijeve artistike e muzikore, afrimin e publikut të ri përmes shfaqjeve tërheqëse për moshat e tyre, rritjen e nivelit të njohurive muzikore që ata kanë marrë përmes vlerave të artit botëror dhe atij kombëtar, si dhe njohjen nga afër me artistët më të shquar të skenës artistike shqiptare. Në këtë projekt përfshihen baleti "Arrëthyesi", i cili ishte premierë në fund të nëntorit në TKOB, në koreografinë e Ilir Kërnit.

Një shfaqje e konceptuar për këtë grupmoshë është edhe spektakli i dancit alternativ të titulluar "Një ndodhi në pyll", në koreografinë e Llaqi Nakos, artistët e Ansamblit Popullor dhe folkloristët e vegjël, me një shfaqje të titulluar "Gjerdani i perlave popullore".

Shfaqja e fundit e projektit "Opera për të rinjtë dhe të vegjlit" do të jetë "Tirana by night" novelë koreografike rinore, e cila do të ngjitet në skenë për të rinjtë më datën 22 janar.

m.s/NOA

KOMENTE