Tiranë, 22 janar NOA - Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot ministrin e Punëve të Jashtme të Sllovakisë, Miroslav Lajçak dhe delegacionin që e shoqëronte në kuadër të vizitës së tij zyrtare në vendin tonë.
Kryetari i Shtetit bëri një pasqyrë e shkurtër të arritjeve të Shqipërisë në rrugën e saj të integrimit euroatlantik, duke u ndalur tek angazhimi ynë serioz në NATO, si dhe bashkëpunimi me BE-në, sidomos sa u përket hapave të ndërmarrë për liberalizimin e vizave.Nga ana e tij, ministri i Jashtëm, Lajçak vuri në dukje se vizita e takime të këtij niveli i shërbejnë zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve midis dy vendeve dhe popujve tanë në të gjitha fushat.
Lajçak shprehu bindjen që shkëmbimi i vizitave në nivelet më të larta do të intensifikohet edhe më tej në të ardhmen e afërt. Në kuadrin e përmbushjes së aspiratave integruese të vendit tonë, Ministri Lajçak theksoi se Sllovakia jo vetëm që i mbështet plotësisht këto ambicie, por është e gatshme të ofrojë edhe përvojën e saj integruese, e cila "është e re, pozitive dhe e rrallë" si dhe ekspertizën dhe shkëmbimet mes ekspertëve.
Në këtë drejtim Ministri sllovak vuri në dukje përshtypjet e mira të vizitës së tij në qendrën e lëshimit të kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike duke e cilësuar këtë si një certifikatë shumë e mirë për mundësimin sa më të shpejtë të liberalizimit të regjimit të vizave për qytetarët shqiptarë. k.k/NOA